Rezervojeni këtë fundjavë për boks: Rikthehet në ring "The Bronze Bomber"
Ish-kampioni i botës në peshat e rënda, Deontay Wilder, do të rikthehet në ring në orët e para të së shtunës, më 28 qershor, në një duel kundër Tyrrell Herndon.
The Bronze Bomber, i cili humbi titullin botëror në vitin 2020, po përpiqet të ringjallet pas një serie të vështirë rezultatesh, përfshirë dy humbje nga Tyson Fury dhe një eliminim nga Zhilei Zhang në qershor 2024.
Me vetëm një fitore në katër vitet e fundit, 39-vjeçari nga Alabama kërkon të rifillojë karrierën e tij dhe të dëshmojë se ende ka vend në elitën e peshave të rënda.
Kundërshtari i tij, Tyrrell Herndon, 37 vjeç nga Teksasi, ka një rekord të përzier. Ai ka humbur ndaj boksierëve si Efe Ajagba dhe Richard Torrez Jr, ndërsa vetëm katër nga fitoret e tij janë ndaj kundërshtarëve me bilanc pozitiv. Në tri ndeshjet e tij të fundit ka shënuar fitore, por përballë rivalëve të niveleve më të ulëta.
Në nënkartë, pritet aksion interesant me emra të njohur në skenën amerikane. Lateef Kayode, tashmë 42 vjeç, do të përballet me të pamposhturin Gustavo Trujillo. Ish-boksieri i peshave të lehta Deon Nicholson do të sfidohet nga Devonte Williams.
Po ashtu rikthehet në ring pas dy vitesh edhe medalisti olimpik Nico Hernandez, i cili përballet me Robert Ledesma. Premton edhe sfida mes super të mesmëve Marco Romero dhe Andre Amaro.
Kjo mbrëmje boksi pritet të jetë vendimtare për Wilderin. Fitore bindëse mund të ringjallë shpresat për një tjetër titull botëror, por çdo hap i gabuar mund ta vulosë përfundimisht fundin e karrierës së tij. /Telegrafi/


