Please enter at least 3 characters.

Real Madridi ‘fërkon’ duart, Man City gati të shesë tetë yje në afatin kalimtar të verës

Sipas raportimeve, Manchester City mund të largojë deri në tetë futbollistë në kuadër të një riorganizimi rrënjësor të skuadrës pas largimit të Pep Guardiolës.

Guardiola i dha fund aventurës së tij të jashtëzakonshme 10-vjeçare në krye të Cityt, duke e mbyllur periudhën e tij me edhe dy trofe të tjerë dhe duke e çuar numrin total të trofeve të fituar në 20 gjatë kohës së tij në “Etihad Stadium”.

Trajneri katalanas pritet të zëvendësohet nga ish-ndihmësi i tij, Enzo Maresca, por ai nuk do të jetë i vetmi që largohet nga klubi këtë verë. Edhe John Stones dhe Bernardo Silva raportohet se janë pranë largimit.

Nathan Ake gjithashtu mund të largohet, ndërsa mesfushori Nico Gonzalez mund të mbetet jashtë planeve të klubit nëse City arrin të transferojë mesfushorin e Nottingham Forestit, Elliot Anderson.

Në të njëjtën kohë, edhe Mateo Kovacic mund të largohet. Kroati ka edhe një vit kontratë me Cityn dhe u rikthye në formë vetëm në fund të sezonit, pasi humbi një pjesë të madhe të tij për shkak të një dëmtimi në kyçin e këmbës që kërkoi ndërhyrje kirurgjikale.

E ardhmja e bashkëkombësit të tij, Josko Gvardiol, gjithashtu është vënë në pikëpyetje, pasi ai po lidhet me një transferim të mundshëm te Bayern Munich ose Real Madrid.

Ndërkohë, Tijjani Reijnders mund të largohet pas vetëm një sezoni te Manchester City, pas transferimit të tij nga Milan, me Atletico Madridin që ka shprehur interes për reprezentuesin holandez.

E pasigurt mbetet edhe e ardhmja e Omar Marmoush, si dhe e Rico Lewis, një nga të preferuarit e Guardiolës, i cili pati vështirësi për të gjetur minuta në fund të sezonit 2025/26.

Portieri James Trafford mbeti i zhgënjyer që u detyrua të pranonte rolin e zëvendësuesit të Gianluigi Donnarummës pas rikthimit të tij verën e kaluar dhe pritet të rishqyrtojë situatën e tij pas Kampionatit Botëror.

Një tjetër zhvillim në lidhje me largimet e mundshme është interesimi i Real Madridit për Ruben Dias, sidomos pas emërimit të Jose Mourinhos për herë të dytë në krye të klubit madrilen./Telegrafi/