Rasti i vjedhjes së mijëra eurove dhe arit në Leposaviq, arrestohet edhe i dyshuari i katërt
Policia e Kosovës ka arrestuar edhe personin e katërt të dyshuar për rastin e “Vjedhjes së rëndë” në Leposaviq, ku nga një shtëpi ishin vjedhur 12 mijë euro, 40 mijë dinarë dhe dy zinxhirë ari.
Sipas Policisë, i dyshuari L.B., i mitur, është arrestuar në pikën kufitare Jarinjë, në hyrje të Republikës së Kosovës.
Gjatë kontrollit, te i dyshuari janë gjetur 5 mijë e 750 euro dhe 2 mijë dinarë, të cilat dyshohet se janë përfituar nga rasti i vjedhjes.
“Policia ka arritur të arrestojë edhe personin e katërt të dyshuar. I dyshuari L.B. (i mitur), është arrestuar në pikën kufitare Jarinjë, në hyrje të Republikës së Kosovës. Gjatë kontrollit, tek i njëjti janë gjetur 5,750 euro dhe 2,000 dinarë, që dyshohet se janë të përfituara nga rasti i vjedhjes”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është liruar dhe rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt.
Policia ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar për vepra penale dhe sjelljen e tyre para organeve të drejtësisë.
Ndërkohë, qytetarët janë ftuar që çdo rast të dyshimtë ta raportojnë në numrin 192.


