Please enter at least 3 characters.

Rama: 'Shqipëria e tradhtarëve' sapo u zgjodh si Presidente e 'Forest Europe'

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë të ditur se Shqipëria është zgjedhur me votë unanime nga 45 vendet anëtare si Presidente e 'Forest Europe' për periudhën 2026–2030, duke marrë stafetën nga Suedia.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama e cilësoi këtë si një arritje të rëndësishme për vendin, duke theksuar se zgjedhja u mbështet nga të gjitha vendet anëtare, pa asnjë kundërshtim.

Sipas tij, ky vendim merr një domethënie të veçantë përballë kritikave dhe akuzave që, sipas kryeministrit, janë adresuar vazhdimisht ndaj Shqipërisë në lidhje me çështjet mjedisore dhe menaxhimin e pyjeve.

“Shqipëria e tradhtarëve sapo u zgjodh me votë unanime të 45 vendeve anëtare, si Presidente e Forest Europe për periudhën 2026–2030, duke marrë stafetën nga Suedia”, shkroi Rama, duke përdorur një ton ironik ndaj kritikëve të qeverisë.

Kryeministri nënvizoi se Forest Europe përbën platformën më të rëndësishme pan-evropiane për politikëbërjen në fushën e pyjeve, duke bashkuar 45 shtete evropiane dhe Bashkimi Evropian për të përcaktuar drejtimet strategjike të menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve, mbrojtjes së biodiversitetit pyjor, luftës kundër ndryshimeve klimatike dhe zhvillimit të ekonomisë së gjelbër.

Rama theksoi se deri në vitin 2030, Shqipëria do të drejtojë agjendën politike dhe procesin ministerial të organizatës, duke koordinuar diskutimet dhe prioritetet evropiane për sektorin e pyjeve.

Sipas tij, ky rol do të kontribuojë në rritjen e kompetencave institucionale dhe reputacionit ndërkombëtar të vendit, ndërsa e cilësoi zgjedhjen si një tjetër sukses të rëndësishëm diplomatik për Shqipërinë.

“Ky është një tjetër sukses i rëndësishëm diplomatik, që e forcon më tej profilin ndërkombëtar të vendit dhe rrit rolin e Shqipërisë në diplomacinë mjedisore”, u shpreh Rama në reagimin e tij. /Telegrafi/