Rama: Nisin punimet për ndërtimin e rrethit te Gorenja në Prishtinë
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se kanë nisur punimet për ndërtimin e rrethit te Gorenja, një ndër nyjet më të ngarkuara të trafikut në kryeqytet.
Përmes një postimi, Rama ka thënë se kjo ndërhyrje pritet të përmirësojë qarkullimin dhe të funksionalizojë daljen nga Prishtina në drejtim të Gjilanit.
“Një nga nyjet më të ngarkuara të Kryeqytetit po merr zgjidhjen që i ka munguar prej vitesh. Kemi filluar punimet për ndërtimin e rrethit te Gorenja, një ndërhyrje që do ta funksionalizojë daljen nga Prishtina drejt Gjilanit dhe do të lidhë më mirë rrugët Nekibe Kelmendi, Richard Holbrooke dhe Xhevat Qena”, ka shkruar Rama.
Sipas tij, projekti synon të lehtësojë qarkullimin në këtë zonë dhe të përmirësojë lidhjen ndërmjet disa prej rrugëve kryesore të qytetit.


