Radio Televisioni Publik i Sllovenisë nuk do ta transmetojë Eurovisionin sivjet në shenjë bojkoti për pjesëmarrjen e Izraelit
Në vend të Konkursit të Këngës në Eurovision, nga i cili më parë u tërhoqën për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit, Televizioni i Sllovenisë do t'u ofrojë shikuesve një program të veçantë tematik të quajtur "Zërat e Palestinës" midis 10 dhe 20 majit.
Ata njoftuan se shfaqja do të hedhë dritë mbi historitë e njerëzve dhe kontekstin më të gjerë të ngjarjeve aktuale në Lindjen e Mesme përmes filmave, dokumentarëve, emisioneve të bisedave dhe analizave.
Seriali sjell perspektiva të larmishme, nga përvojat personale të individëve deri te çështje më të gjera shoqërore dhe politike, dhe hap hapësirë për të menduar rreth njërës prej temave kryesore të botës moderne.
Është interesante që datat e transmetimit të shfaqjeve përkojnë me datat e shfaqjeve gjysmëfinale dhe finale të Festivalit të Këngës në Eurovision.
"Me këtë program, RTV Slovenia vazhdon të përmbushë misionin e saj publik - t'u ofrojë shikuesve përmbajtje të thelluar, të besueshme dhe shumështresore që inkurajon mirëkuptimin, dialogun dhe të menduarit kritik rreth çështjeve aktuale globale", tha RTV Slovenia.
Ju kujtojmë se Sllovenia ishte një nga vendet që, pas asamblesë së vitit të kaluar të Unionit Evropian të Transmetimeve, hoqi dorë nga pjesëmarrja në Festivalin e Këngës në Eurovision, pasi nuk pati votim për përjashtimin e Izraelit nga konkursi.
Së bashku me Slloveninë, nga pjesëmarrja e këtij viti u tërhoqën edhe Spanja, Irlanda, Islanda dhe Holanda.
Konkursi i Këngës në Eurovision do të mbahet në Vjenë më 12 dhe 14 maj, shfaqja gjysmëfinale, ndërsa finalja është planifikuar për 16 maj. /Telegrafi/


