Please enter at least 3 characters.

“Prona s’është vetëm për djemtë” – YMCA sfidon mendësinë patriarkale në shkollat e Kosovës

20:"Photo:RIDVAN SLIVOVA

Në shumë familje kosovare, e drejta e vajzave për të trashëguar pronën mbetet ende një temë e heshtur. Por një grup të rinjsh nga e gjithë Kosova po e sfidojnë këtë realitet.

Në episodin e radhës të podcastit për të drejtat pronësore në Telegrafi me redaktoren Jehona Hulaj, temë qendrore ishte fuqizimi i të rinjve në drejtim të barazisë gjinore dhe të drejtave pronësore, me fokus në projektin PIAKOS që po implementohet nga organizata YMCA në Kosovë.

E ftuar në këtë episod ishte Dorina Lluka, drejtoreshë ekzekutive e YMCA-së, e cila ndau përvojat, sfidat dhe sukseset nga terreni.

Sipas saj, edukimi mbi të drejtat pronësore duhet të fillojë sa më herët, madje që në moshën parashkollore.

“Definitivisht të kuptuarit e të drejtës pronës sa më herët është thelbësor. Unë besoj që duhet të fillojë që nga çerdhja. Në momentin që edukimi fillon nga çerdhja, mendoj që kemi një bazë më të fortë për të ardhmen,” tha Lluka.

Drejtoresha e YMCA, Dorina Lluka gjatë podcastit në Telegrafi/Foto: Ridvan Slivova

YMCA përmes këtij projekti ka punuar me nxënës të shkollave të mesme në shumë komuna të Kosovës, duke organizuar trajnime, punëtori dhe sesione ndërgjegjësuese.

Sipas Llukës, ndikimi është i dukshëm jo vetëm në njohuritë e nxënësve, por edhe në qëndrimet e tyre brenda familjes dhe komunitetit.

“Në një prej sesioneve në shkolla, një nxënës djalë e ka ngritur dorën dhe ka thënë: ‘Unë si djalë nuk kam kurrgjë më shumë se motra ime’. Dhe ajo për neve ka qenë një ndër momentet më të rëndësishme të këtij projekti, sepse është pikërisht për këtë po punojmë – të sfidojmë mendësinë patriarkale që është rrënjosur thellë në shoqëri,” theksoi ajo.

Megjithatë, jo gjithmonë gjithçka ka shkuar lehtë. Lluka rrëfeu se ka pasur raste kur drejtues të shkollave kanë refuzuar bashkëpunimin për të diskutuar tema të tilla me të rinjtë.

“Ka pasur raste të rezistencës në shkolla, të cilat nuk kanë pranuar të mbajmë takimet me të rinjët sepse kanë thënë që kjo temë është shumë e ndishme për këtë moshë dhe mundet me shkaktu probleme familjare cila nëse e sheh nën kontekstin zhvillimor të një shoqërie të ngritur kjo temë është normale me diskutu, nuk është tabu. Jemi duke folur për diçka e cila është e rregulluar edhe me ligj. Do të thotë, këtu kemi pasur pakëz njëfarë lloj ndeshje mendimeve”, u shpreh Lluka.

Në kuadër të projektit, YMCA po përgatit edhe kampin veror që do të zhvillohet në Gjakovë, ku nxënës nga disa komuna do të marrin pjesë në një seri aktivitetesh edukative e sociale.

“Kampi përveç që është një hapësirë ku të rinjët socializohen dhe mësojnë nga njëri-tjetri, do të ketë edhe aktivitete edukative me profesionistë ligjorë. Ata do të mësojnë për të drejtën pronësore, për mënyrën si mund të reagojnë kur ka padrejtësi, por edhe për barazinë gjinore në praktikë,” tha Lluka.

Një tjetër aktivitet i rëndësishëm që po realizohet është “Question Time”,  një seri diskutimesh publike në katër komuna, ku të rinjtë do të kenë mundësinë të diskutojnë drejtpërdrejt me përfaqësues të institucioneve dhe profesionistë të fushës.

“Këta të rinj do të kenë mundësi që përmes pyetjeve të drejtpërdrejta të kërkojnë llogari nga përfaqësues të institucioneve lokale, gjykatës, apo zyrës së trashëgimisë. Qëllimi është që të ndihen të fuqizuar dhe të informuar,” u shpreh Lluka.

Drejtoresha e YMCA, Dorina Lluka gjatë podcastit në Telegrafi/Foto: Ridvan Slivova

Duke reflektuar mbi rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në temat që shpesh janë tabu në familje e komunitet, ajo kërkoi që këto tema të diskutohen me gjeneratat e reja.

“Ne jemi duke u munduar që këto tema t’i diskutojmë me gjeneratën e re. Sepse vetëm përmes tyre mund të ndërtojmë një mendësi të re, më gjithëpërfshirëse, më të drejtë dhe më të barabartë”, tha Lluka.

Në fund, Lluka dha një mesazh të fuqishëm për rëndësinë e qasjes së barabartë në ekonomi dhe pronë si faktor kyç për zhvillimin e shoqërisë.

“Nëse lëmë 50% të popullsisë pa pasur qasje në ekonomi, në pronë dhe në vendimmarrje, nuk mund të flasim për zhvillim të qëndrueshëm. Fuqizimi ekonomik i vajzave është kapital për vendin. Është investim për një të ardhme më të drejtë për të gjithë”, tha ajo. /Telegrafi/

Ky publikim është prodhuar nga Telegrafi në kuadër të projektit PIAKOS, zbatuar nga ATRC dhe financuar nga Banka Botërore – Fondi për Paqe dhe Shtet-Ndërtim. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e ATRC-së dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bankës Botërore, Fondit për Paqe dhe Shtet-Ndërtimin, apo Telegrafit.

true