Programi “Të Rinjtë në Teknologji 2.0” përmbyll me sukses dy modulet e para me mbështetjen e ProCredit Bank Kosova
Programi “Të Rinjtë në Teknologji 2.0”, i organizuar nga Kosova Makers League me mbështetjen e ProCredit Bank Kosova, po vazhdon me sukses zbatimin e aktiviteteve të parapara për fuqizimin e të rinjve në fushën e teknologjisë, robotikës dhe inteligjencës artificiale.
Përmes këtij bashkëpunimi, dhjetëra nxënës të shkollave të mesme publike nga komuna të ndryshme të Kosovës po përfitojnë njohuri dhe aftësi praktike në teknologjitë më bashkëkohore, duke u përgatitur për sfidat dhe mundësitë e ekonomisë digjitale. Mbështetja e ProCredit Bank Kosova ka mundësuar realizimin e aktiviteteve trajnuese, pajisjen e shkollave me teknologji edukative dhe krijimin e hapësirave për mësim praktik dhe inovacion.
Programi nëntëmujor, i cili ka filluar në muajin mars dhe do të përfundojë në tetor, synon ngritjen e kapaciteteve të nxënësve përmes përdorimit të teknologjive të avancuara, programimit, robotikës dhe inteligjencës artificiale.
Deri më tani janë realizuar me sukses dy modulet e para të programit. Në modulin e parë morën pjesë gjithsej 55 nxënës, të cilët u trajnuan në bazat e programimit me gjuhën programuese Python dhe punuan me robotët edukativë micro:Maqueen Plus, duke zhvilluar aftësi praktike në programim dhe zgjidhjen e problemeve.
Ndërkaq, moduli i dytë mblodhi rreth 42 nxënës, të cilët u njohën me përdorimin e kamerës së inteligjencës artificiale HuskyLens dhe integrimin e saj në robotët edukativë. Përmes aktiviteteve praktike, pjesëmarrësit fituan njohuri mbi përdorimin e inteligjencës artificiale në robotikë dhe aplikimin e saj në sfida konkrete.
Gjatë aktiviteteve, pjesëmarrësit kanë përdorur gjuhën programuese Python, përmes së cilës kanë krijuar projekte interaktive dhe funksionale, duke zhvilluar kompetenca të rëndësishme për të ardhmen e tyre akademike dhe profesionale.
Programi do të vazhdojë edhe gjatë muajve të ardhshëm. Në fazat e radhës, nxënësit do të mësojnë bazat e dizajnit grafik dhe përdorimin e mjeteve digjitale si Canva dhe Illustrator për krijimin e hartave dhe elementeve vizuale që do të përdoren në sfidat praktike të robotikës.
Po ashtu, ata do të punojnë me komponentë të ndryshëm elektronikë dhe do të ndërtojnë projekte duke aplikuar njohuritë e fituara gjatë gjithë programit. Në këtë fazë, shkollat pjesëmarrëse do të pajisen edhe me Arduino MKR IoT Bundle dhe komponentë të tjerë elektronikë që do të përdoren për realizimin e projekteve inovative në kuadër të modulit të elektronikës.
Në përfundim të programit do të organizohet një panair prezantues, ku ekipet pjesëmarrëse do të prezantojnë projektet e tyre, rezultatet e arritura dhe përvojat e fituara gjatë nëntë muajve të angazhimit. Panairi do të shërbejë si një dëshmi konkrete e ndikimit që ky program po krijon tek të rinjtë, falë bashkëpunimit ndërmjet Kosova Makers League dhe ProCredit Bank Kosova në promovimin e arsimit teknologjik dhe inovacionit në Kosovë.


