Please enter at least 3 characters.

Princi Andrew humb titullin mbretëror dhe largohet nga Pallati i Uindsorit

Foto: Getty Images

Monarku britanik, Charles III, ka nisur procesin zyrtar për të hequr titullin e princit nga vëllai i tij, Andrew, i cili gjithashtu do të largohet nga rezidenca mbretërore në Uindsor dhe do të zhvendoset në pronën private në Sandringam.

Pallati Buckingham njoftoi se Andrew është pajtuar të largohet nga prona mbretërore, ndërsa lidhjet e tij me financierin Jeffrey Epstein, i ekspozuar si pedofil, vazhdojnë të shkaktojnë polemika. Megjithëse Andrew mohon akuzat, Pallati mbretëror ka vlerësuar se ai ka treguar një “mungesë serioze të gjykimit”.

Sipas njoftimit zyrtar, nga tani e tutje Andrew do të njihet si Andrew Mountbatten Windsor. “Kontrata e tij e qirasë në pronën mbretërore deri më tani i kishte ofruar mbrojtje ligjore për të jetuar aty. Tashmë është dorëzuar njoftimi zyrtar për largimin dhe ai do të zhvendoset në një pronë private. Këto masa janë të domosdoshme, pavarësisht se ai vazhdon t’i mohojë akuzat ndaj tij”, thuhet në njoftim.

Kjo nuk është hera e parë që Andrew përballet me pasoja nga skandalet e lidhura me Epstein. Në janar të vitit 2022, ai kishte humbur titujt ushtarakë dhe patronazhet mbretërore, pasi nuk arriti të bllokonte një padi civile amerikane ku akuzohej për abuzim seksual nga Virginia Giuffre. Ajo pretendonte se Andrew kishte kryer marrëdhënie seksuale me të kur ajo ishte 17 vjeç, me kërkesë të Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtores së Epstein.

Megjithëse padia u mbyll me marrëveshje jashtë gjyqit më 2022, lidhjet e Andrew me Epstein dhe Maxwell dëmtuan reputacionin e tij publik dhe e detyruan të tërhiqej nga detyrat zyrtare mbretërore, duke e larguar nga qendra e skenës monarkike britanike. /Telegrafi/