Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj nderohet me titullin "Doctor Honoris Causa" nga Universiteti Publik "Kadri Zeka" në Gjilan
Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka nderuar presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, me titullin e lartë akademik “Doctor Honoris Causa”.
Begaj gjatë ceremonisë tha se ky është një vlerësim i papritur për tu nderuar nga qyteti dhe nga universiteti.
“Nga këto dy ditë për të qenë qytetar nderi dhe me vlerësimin e titullit 'Doctor Honoris Causa' .. nuk mund t’i fsheh dot emocionet. Nga sot lidhja me qytetin dhe Universiteti ‘Kadri Zeka’ është shumë e madhe lidhja me Kosovën dhe kjo lidhje do të jetë kurdo e kudo, në çdo rrethanë e situatë”, tha Begaj.
Tutje presidenti Begaj tha se marrja e këtij titulli nga ky universitet ka domethënie shumë të madhe.
“Mban emrin e birit të shquar të këtyre trevave, patriot dhe luftëtar shumë i madh dhe besoj që emri i tij ndriçon rrugën e universitetit dhe të atyre studentëve që studiojnë këtu.Është një nderë i jashtëzakonshme të marrë këtë titull sot. Vlerësim është jo vetëm një nder personal për mua, por edhe një përgjegjësi si një kujtesë për arsimin dhe për brezat e rijnë që vijnë pas. Nuk mjafton thjesht të kemi më shumë universitete, por na duhen më shumë njerëz të aftë, më shumë shkencëtarë, sipërmarrës të cilët mendojnë për të ardhmen dhe të tjerët. Të punojmë së bashku për një shoqëri më të fortë dhe të ditur për të ardhmen e përbashkët”, ka thënë ndër të tjera Begaj.
Pas ceremonisë së pranimit të çmimit “ Doctor Honoris Causa”, Presidenti i Republikës, së bashku me drejtuesit e universitetit publik “Kadri Zeka”, mbolli një pemë në oborrin e rektoratit.
Gjithashtu, Presidenti Begaj zhvilloi edhe një vizitë në shtëpinë muze të heroit Rexhep Mala.
Ndryshe, një ditë më parë presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj është shpallur qytetar nderi i Komunës së Gjilanit. /Telegrafi/


