Please enter at least 3 characters.

Policia sqaron praninë në sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë: Asistim për Inspektoratin, jo për punime ndërtimore

Komuna e Prishtinës sot ka rifilluar punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, ani pse të njëjtat janë ndaluar dy herë radhazi nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore.

Në rinisjen e punimeve prezent ishin edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Lidhur me këtë drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë ka reaguar, duke theksuar se angazhimi i tyre ishte bërë në kuadër të asistencës për Drejtorinë e Inspeksionit të Komunës së Prishtinës dhe nuk kishte të bënte me ndonjë ndërhyrje në punimet ndërtimore në atë zonë.

“Prezenca e zyrtarëve policorë në sheshin ‘Xhorxh Bush” në Prishtinë, sot ishte në asistim të Drejtorisë së Inspeksionit të Komunës së Prishtinës, për aktivitete të planifikuara në kuadër të punës sekondare”, thuhet në njoftim.

Policia sqaron se këto aktivitete “nuk ndërlidhen me asistimin e kryerjes së punimeve në atë zonë”.

Në reagimin e saj, Policia e Kosovës nënvizon se veprimet e saj bazohen në parimet e “ligjshmërisë, proporcionalitetit dhe neutralitetit”, duke shtuar se gjithmonë respekton ndarjen e pushteteve dhe kompetencat e institucioneve të tjera.

“Çdo pretendim që sugjeron tejkalim të kompetencave nga ana e Policisë së Kosovës është i pabazuar dhe bie ndesh me misionin tonë për të vepruar në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me ligjin”, thekson më tej njoftimi.

Policia shpreh përkushtimin e saj për të ofruar “mbështetje institucionale në përputhje me ligjin dhe për të garantuar sigurinë publike”, duke siguruar qytetarët se gjithmonë vepron brenda kufijve të kompetencave ligjore. /Telegrafi/