Please enter at least 3 characters.

I dënuari merr leje nga burgu i Reçit dhe nuk kthehet, lë letër për familjen: Po largohem ju dua shumë

Petrit Ndoci, i dënuari që vuante dënimin në burgun e Reçit, është larguar gjatë kohës që ndodhej me leje dhe nuk është kthyer në institucionin e vuajtjes së dënimit.

Sipas burimeve, Ndoci duhej të paraqitej në burg ditën e sotme, në orën 12:30. Punonjësit e institucionit kanë tentuar ta kontaktojnë në numrin e telefonit të deklaruar, por përgjigjen e ka dhënë vëllai i tij, i cili ka njoftuar se i dënuari ishte larguar.

Mësohet se, përpara largimit, Ndoci kishte lënë edhe një letër për familjarët. “Po largohem, ju dua shumë”, citohet të ketë shkruar ai.

Petrit Ndoci është dënuar për veprat penale “vjedhje me dhunë” dhe “armëmbajtje pa leje”. Në momentin e largimit, atij i kishin mbetur rreth dy vite për të përfunduar dënimin.

Sipas informacioneve, Ndoci kishte përfituar edhe më herët nga lejet e dhëna nga Drejtoria e Burgjeve dhe ishte rikthyer në qeli pas përfundimit të tyre.

Autoritetet kanë nisur procedurat për lokalizimin dhe kapjen e tij. /Euronews.al/