Please enter at least 3 characters.

Pesë shoferë ndëshkohen për kundërvajtje të rënda në trafik në rajonin e Ferizajt

Njësitë e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj dhe stacioni policor në Shtime kanë shqiptuar masa ligjore ndaj pesë shoferëve për shkelje të rënda të trafikut në rrugët lokale dhe magjistrale të rajonit.

Më 17 tetor 2025, në rrugën “Rexhep Bislimi”, një shofer 21-vjeçar u kap duke lëvizur me 117 km/h në zonën me kufizim 40 km/h dhe pasi nuk iu bind urdhrit të policisë për ndalje, më 22 tetor u ndëshkua me gjobë prej 800 euro.

Më 23 tetor 2025, një shofer 22-vjeçar në rrugën “Brahim Ademi” u kap me 143 km/h në zonën me kufizim 50 km/h; ai mori gjobë 400 euro, 4 pikë negative dhe ndalim drejtimi për 9 muaj.

Po atë ditë, në fshatin Babush, një shofer 40-vjeçar u ndal pasi po lëvizte me 161 km/h dhe rezultoi me 0.85 promila alkool. Ai u ndëshkua me gjobë 500 euro, 5 pikë negative dhe ndalim patente për 6 muaj.

Në Shtime, më 21 tetor, një shofer 23-vjeçar në rrugën "Adem Jashari" u kap me 126 km/h në zonën me kufizim 50 km/h dhe mori gjobë 300 euro, 3 pikë negative dhe heqje të patentës për 3 muaj.

Ndërsa më 23 tetor, një shofere 23-vjeçe me masë mbrojtëse aktive në rrugën “Tahir Sinani” u ndëshkua me gjobë 500 euro, 5 pikë negative, vazhdim të masës për 6 muaj dhe iu sekuestrua automjeti.

Policia Rajonale e Ferizajt apelon tek të gjithë shoferët që të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe shenjat e komunikacionit, duke theksuar se shpejtësia e lartë dhe pakujdesia gjatë ngasjes paraqesin rrezik serioz për jetën dhe pronën e qytetarëve. /Telegrafi/