Please enter at least 3 characters.

Përurohet shkolla “Nazim Kokollari-Budakova” në Prizren

Në Prizren është përuruar shkolla fillore dhe e mesme e ulët “Nazim Kokollari-Budakova”, projekt i financuar nga Bashkimi Evropian në vlerë prej 5.2 milionë euro.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadori Aivo Orav, ish-ministrja e Arsimit dhe Shkencës dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, si dhe përfaqësues të institucioneve lokale, mësimdhënës, prindër dhe nxënës.

Ministri Çeku falënderoi partnerët për bashkëpunimin dhe mbështetjen në realizimin e projektit, duke theksuar rëndësinë e investimeve në infrastrukturën arsimore dhe përmirësimin e kushteve për zhvillimin e procesit mësimor.

Ai nënvizoi nevojën për bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal për avancimin e mëtejmë të kushteve në arsim.

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Aivo Orav, theksoi se mbështetja për sektorin e arsimit mbetet pjesë e angazhimit të BE-së në Kosovë, duke përmendur investimet e realizuara ndër vite në fusha të ndryshme, përfshirë arsimin.

Drejtoresha e shkollës, Belkize Hoxha, shprehu mirënjohje për institucionet dhe partnerët që kontribuuan në ndërtimin e objektit të ri, i cili ofron kushte moderne dhe të përshtatshme për nxënësit dhe stafin mësimor.

Sipas njoftimit, me përurimin e këtij projekti nxënësit dhe mësimdhënësit tashmë kanë në dispozicion hapësira funksionale, ambiente bashkëkohore dhe kushte më të sigurta për punë dhe mësim, duke përfaqësuar një hap të rëndësishëm në zhvillimin e arsimit në këtë komunë. /Telegrafi/