Please enter at least 3 characters.

Përplasje në mes LSDM-së dhe OBRM-PDUKM-së për rritjen ekonomike

2017/01/vmro-lsdm.jpg

LSDM akuzoi Qeverinë se ka mashtruar me pretendimet për rritjen ekonomike, duke iu referuar projeksioneve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, sipas të cilave ekonomia e Maqedonisë së Veriut pritet të rritet mesatarisht me 3% në pesë vitet e ardhshme. Sipas opozitës, vendi do të ketë ritëm më të ngadaltë të rritjes ekonomike krahasuar me shtetet e rajonit, ndërsa përmend edhe rënien e investimeve të huaja, tkurrjen e prodhimit industrial dhe rritjen e borxhit publik.

“Para Maqedonisë renditen Shqipëria me 3,19%, Serbia me 3,5%, Moldavia, Ukraina dhe Kosova me 3,95%. Kjo është realiteti dhe e vërteta. Gjithçka tjetër ishin gënjeshtra politike. Në fund të fundit, këtë qytetarët e dinë dhe e ndjejnë më së miri përmes kuletave të tyre bosh dhe frigoriferëve të zbrazët”, u shpreh Natasha Popoviq – LSDM.

OBRM-PDUKM hodhi poshtë akuzat, duke i cilësuar si manipulime dhe duke theksuar se projeksionet e Fondit Monetar Ndërkombëtar janë parashikime, ndërsa Qeveria po realizon investime, projekte infrastrukturore dhe politika që, sipas saj, po japin rezultate. Deputeti Bojan Stojanoski deklaroi se inflacioni në qershor ka rënë në 3,4%, ndërsa çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike janë stabilizuar falë masave të ndërmarra gjatë krizës energjetike.

“Zbatimi i suksesshëm i masave qeveritare për krizën energjetike u konfirmua në kohë edhe nga FMN-ja, e cila theksoi se Maqedonia është në mesin e tri vendeve të para për masat e ndërmarra për zbutjen e goditjes së çmimeve të karburanteve”, pohoi Bojan Stojanovski nga OBRM-PDUKM.

Gjersa opozitarja LSDM vlerëson se politikat ekonomike të Qeverisë kanë përkeqësuar standardin e jetesës së qytetarëve dhe kërkon ndryshim të qasjes në menaxhimin e ekonomisë, nga partia në pushtet OBRM-PDUKM vlerësojnë se ekonomia po ecën përpara dhe standardi i jetesës do të përmirësohet përmes investimeve dhe menaxhimit të përgjegjshëm të financave publike.