PDK kërkon hetim për pamjet e publikuara nga Kurti për fabrikën për prodhimin e dronëve
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Besa Kabashi-Ramaj, ka kërkuar hetim institucional nga Prokuroria e Shtetit lidhur me siç tha ajo, pamjet e rreme të publikuara nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, për një fabrikë të prodhimit të dronëve në Gjilan, gjatë fushatës zgjedhore.
Në një konferencë, Kabashi-Ramaj theksoi se bëhet fjalë për një çështje serioze institucionale dhe të sigurisë kombëtare, duke kërkuar transparencë të plotë për pretendimet e ngritura rreth prodhimit të dronëve dhe fabrikës së municionit.
Sipas saj, Kurti kishte promovuar publikisht, përfshirë edhe përmes një vizite, atë që u paraqit si fabrikë e prodhimit të dronëve ushtarakë, duke lënë të kuptohet se në Kosovë po zhvillohen kapacitete të avancuara teknologjike për siguri.
“Prodhimi i dronëve nuk është aktivitet simbolik apo promovues. Ai kërkon infrastrukturë të certifikuar, personel të specializuar, protokolle të sigurisë, licenca ligjore dhe mbikëqyrje shtetërore. Asnjë nga këto nuk mund të zëvendësohet me video promocionale apo montazh vizual,” tha Kabashi-Ramaj.
Ajo shtoi se paraqitja e kapaciteteve të pakonfirmuara si arritje shtetërore përbën problem serioz institucional dhe rrezik për sigurinë kombëtare, duke kërkuar që Prokuroria e Shtetit dhe institucionet e drejtësisë të hetojnë deklarimet e rreme dhe keqpërdorimin institucional.
“Prodhimi real i dronëve është proces i gjatë, i verifikueshëm dhe i dokumentuar, jo diçka që imitohet për kamera. Kur një kryeministër paraqet si kapacitet shtetëror diçka që nuk ka kaluar këto faza themelore, problemi nuk është vetëm etik. Problemi është institucional dhe i sigurisë kombëtare. Prandaj kërkojmë nga Prokuroria e Shtetit dhe institucionet e drejtësisë që të verifikojnë këtë mashtrim publik, keqpërdorim institucional dhe trajtim serioz në deklarimet e rreme në një sektor jetik për shtetin”, kërkoi më tej Kabashi-Ramaj.
Deputetja e PDK-së kritikoi gjithashtu edhe deklaratat e mëhershme të Kurtit lidhur me fabrikën e municionit, duke thënë se qytetarët nuk kanë parë ende plane konkrete, partneritete industriale të certifikuara, standarde sigurie apo afate të besueshme.
Kabashi-Ramaj theksoi se siguria kombëtare e Kosovës nuk duhet të përdoret për qëllime promovuese apo politike, duke shtuar se ajo nuk është pronë e asnjë qeverie apo kryeministri.
Në fund, ajo nënvizoi se shtyllat e sigurisë së Kosovës duhet të mbeten ndërtimi gradual i kapaciteteve reale të mbrojtjes, forcimi profesional i Forcës së Sigurisë së Kosovës, bashkëpunimi i ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, anëtarësimi në NATO dhe koordinimi me vendet aleate për mbrojtjen ajrore, kundër-dronëve, sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.
“Kapacitetet reale të mbrojtjes përfshijnë forcimin profesional të FSK-së, planin 10 vjeçar për transformim duhet ta përfundojnë mbrojtjen ajrore dhe kundër – dronëve në koordinim me aleatët tanë, sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike, si dhe qëndrueshmërinë shtetërore ndaj krizave”, shtoi ajo. /Telegrafi/


