PDK dorëzon kërkesë në Kushtetuese për vlerësimin e shkeljeve në seancën konstituive të Kuvendit
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar sot një kërkesë zyrtare në Gjykatën Kushtetuese, përmes së cilës kërkon vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimeve të ndërmarra gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të mbajtur më 29 qershor dhe vazhdimeve të saj më 1 dhe 3 korrik 2025.
Në kërkesën e dorëzuar në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, kontestohen katër çështje kyçe që, sipas partisë, përbëjnë shkelje të Kushtetutës dhe të aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese:
Kërkesa për propozime për anëtarë të Komisionit për Votim të Fshehtë;
Hedhja në votim e këtij Komisioni;
Vetë votimi i Komisionit;
Ndërprerja e seancës pas mosmiratimit të Komisionit.
PDK vlerëson se të gjitha këto veprime janë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën dhe me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili, sipas saj, ka krijuar një gjendje të re juridike dhe ka përcaktuar rrugën që duhet ndjekur për konstituimin e Kuvendit.
Përmes kërkesës, PDK i kërkon Gjykatës Kushtetuese që:
Të shpallë antikushtetues vendimin për votimin e Komisionit për Votim të Fshehtë;
Të shpallë antikushtetues vendimin për ndërprerjen e seancës konstituive;
Të urdhërojë Kuvendin të vazhdojë seancën konstituive deri në përfundimin e saj, me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit përmes votimit të hapur dhe transparent, sipas kërkesave kushtetuese dhe praktikës parlamentare.
PDK thotë se ky hap është i domosdoshëm për të ndalur, siç e cilëson, “tendencën për përmbysje të rendit demokratik” dhe për të garantuar që asnjë shumicë e përkohshme parlamentare të mos e vendosë veten mbi Kushtetutën.
“Partia Demokratike e Kosovës mbetet e vendosur në mbrojtje të ligjshmërisë, demokracisë dhe rendit kushtetues në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e kësaj partie./Telegrafi/


