Please enter at least 3 characters.

LDK dhe Partia e Drejtësisë e Balli Kombëtar bashkë në garën zgjedhore

Partia e Drejtësisë ka bërë të ditur se ka arritur një marrëveshje bashkëpunimi politik me Lidhjen Demokratike të Kosovës për zgjedhjet e 7 qershorit 2026, duke e cilësuar këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të stabilitetit politik dhe rikthimit të besimit qytetar në institucionet e Republikës së Kosovës.

Në komunikatën për media, Partia e Drejtësisë thekson se kjo marrëveshje nuk përfaqëson vetëm një bashkim elektoral, por një angazhim të përbashkët për rritjen e bashkëpunimit politik, dialogut institucional dhe përgjegjësisë shtetërore në vend.

“Ky nuk është vetëm një bashkim elektoral, por një angazhim për krijimin e një fryme të re bashkëpunimi politik, dialogu institucional dhe mobilizimi të potencialeve më të mira profesionale e kombëtare në shërbim të qytetarëve dhe të shtetit”, thuhet në komunikatë.

Partia e Drejtësisë ka theksuar se Lidhja Demokratike e Kosovës ka dëshmuar gatishmëri për reflektim dhe bashkim të energjive shtetformuese.

“Në këtë frymë, konsiderojmë se Lidhja Demokratike e Kosovës ka dëshmuar gatishmëri për reflektim, hapje dhe bashkim të energjive shtetformuese të vendit, duke konfirmuar kapacitetin e saj për ndryshim dhe për marrjen e përgjegjësive të mëdha shtetërore në periudhën që kemi përpara”, theksohet më tej.

Po ashtu, PD-ja bëri të ditur se do të japë kontributin maksimal në funksion të suksesit të përbashkët politik dhe shtetëror.


Ndërkaq LDK ka njoftuar se Partia e Drejtësisë dhe Balli Kombëtar do të jenë në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

"Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ka nënshkruar marrëveshje parazgjedhore me Partinë e Drejtësisë dhe Ballin Kombëtar, për të garuar së bashku në zgjedhjet e 7 qershorit. Partia e Drejtësisë do të garojë në listë me Ferid Aganin. Përderisa Balli Kombëtar me Alban Hotin", thuhet në njoftimin e LDK-së. /Telegrafi/