Osmani: Dyfytyrësia e Vetëvendosjes
Ajo ka thënë se Vetëvendosje për shkak të qasjes dekonstruktive ka bërë që blloku opozitar të mos bashkohet.
“Çfarë po bëjnë ata është dyfytyrësi. Në njërën anë thërrasin për bashkëpunim paradite kurse pasdite menjëherë partitë, të cilat i kanë thirr për bashkëpunim i kritikojnë dhe japin kritika të pabaza ndaj atyre parive”, ka thënë Osmani për KTV, transmeton Express.
“Pra, një qasje e tillë vërtetë është dekonstruktive dhe nuk lë hapësirë për bashkëpunim”, ka shtuar ajo.
Deklaratat e Osmanit vijnë pas akuzave të Lëvizjes Vetëvendosje se LDK është bërë pengesë e unifikimin e opozitës, e cila nuk ka arritur të sfidojnë Qeverinë pavarësisht numrave që i kanë në Kuvend.
Pavarësisht se nuk janë në pushtet, AAK dhe LDK kanë përkrahur një pjesë të nismave qeveritare, kurse Lëvizja Vetëvendosje ka qenë kundër të gjitha politikave të Ekzekutivit.
Dallime brenda opozitës janë thelluar edhe në dialogun Kosovë-Serbi, ku LDK dhe AAK janë pro një procesi të tillë, ndërsa Vetëvendosje ka organizuar edhe protesta për të kundërshtuar takimet mes Kryeministrit Hashim Thaçi dhe Ivica Dacicit.
Megjithëkëtë, Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti është takuar ditëve të fundit me Isa Mustafën e LDK-së dhe Ramush Haradinajn e AAK-së në përpjekje për të rrëzuar Qeverinë, por se nuk është arritur një pajtim i tillë. /Telegrafi/


