Please enter at least 3 characters.

​Osmani dhe ambasadori turk flasin për diplomacinë dhe ndeshjen Kosovë-Turqi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet aktuale.

Sipas një njoftimi nga Presidenca, Osmani ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Turqia ndaj Kosovës, si në aspektin historik, ashtu edhe gjatë mandatit të saj, me theks të veçantë në fushën e mbrojtjes dhe diplomacisë. Ajo ka vlerësuar rolin e Turqisë në forcimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe në përkrahjen e procesit të njohjeve ndërkombëtare.

Presidentja ka shprehur falënderim të veçantë për presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, si dhe për ambasadorin Angılı dhe Ambasadën e Turqisë për angazhimin e vazhdueshëm në mbështetje të Kosovës.

Gjatë takimit, të dy palët kanë riafirmuar përkushtimin për forcimin e mëtejmë të partneritetit, në funksion të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit.

Në fund, u përmend edhe ndeshja e ardhshme kualifikuese për Kupën e Botës 2026 ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, me ç’rast u theksua rëndësia e zhvillimit të saj në frymë sportive dhe respekt të ndërsjellë.