ORCA dhe 13 OJQ kundër emrave për KShC, mes tyre edhe ish-kandidati për deputet i LVV-së
Driton Vela i propozuar nga Qeveria e Kosovës për anëtar në Këshillin Shtetëror të Cilësisë (KShC) në Agjencinë e Kosovës për Akreditim (AKA) po kundërshtohet nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA).
Ky është kandidimi i dytë i Velës në këtë pozitë, pasi edhe më 2023 kishte kandiduar, por nuk ishte përzgjedhur.
Vela ka qenë edhe kandidat për deputet nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, në zgjedhjet e vitit 2019, mirëpo nuk kishte arritur t’i fitonte votat për deputet. Aktualisht është asistent në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës.
Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) është organ politikbërës dhe vendimmarrës i AKA-së, i cili në përgjithësi i vlerëson institucionet e arsimit të lartë në Kosovë.
Pak para orës 11 të mbrëmjes më 21.04.2026 u publikua vendimi i Qeverisë, që ishte marrë në një mbledhjeje elektronike, me të cilin përcaktoheshin tre emrat e anëtarëve të KShC-së, ku përveç Driton Velës për shkenca mjekësore, ishte edhe Florim Gallopeni për shkenca humane dhe Shkurtë Bajgora nga radhët e studentëve.
Dy ditë pasi kërkoi anulimin e procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, ORCA bashkë me 13 organizata jo-qeveritare (Rrjeti ROSCAP) kërkoi nga deputetët që të mos i votojnë këta anëtarë. Ata pritet të shqyrtohen në Kuvend të hënën, më 27.04.2026.
“ROSCAP paralajmëron se votimi i kësaj liste nga Kuvendi do të përbënte ndërhyrje të rëndë në pavarësinë e Agjencisë së Akreditimit dhe do të rrezikonte drejtpërdrejt pozitën e saj në mekanizmat ndërkombëtarë të sigurimit të cilësisë, përfshirë ENQA dhe EQAR. Përvoja e viteve të kaluara ka treguar se ndërhyrjet politike në këtë institucion kanë pasoja të menjëhershme për kredibilitetin ndërkombëtar të arsimit të lartë në Kosovë.” – thuhet në letrën drejtuar deputetëve.
ORCA po e konsideron shqetësuese këtë situatë pasi thotë se i gjithë procesi është zhvilluar nën presion kohor. Kjo organizatë pretendon se një version i raportit të Komisionit është proceduar në Qeveri gjatë natës së 21 prillit, pa u respektuar standardet e transparencës dhe procedurat e rregullta.
Ministria e Arsimit e publikoi më 07.04.2026 thirrjen publike për nominim të anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë në AKA.
“E gjithë kjo urgjencë është justifikuar me pretendimin e pavërtetë se Bordi i Agjencisë rrezikon të mbetet pa kuorum për vendimmarrje në muajt në vijim. Në fakt, përbërja aktuale e Bordit garanton funksionimin normal të tij edhe për të paktën dy vite të tjera, duke e bërë këtë arsyetim të pabazuar dhe të qëllimshëm për të shtyrë përpara një proces të dyshimtë.” – thuhet në reagimin e dytë të ORCA-së, më 22.04.2026.
Nga Agjencia e Kosovës për Akreditim kanë thënë për KALLXO.com se dy anëtarëve aktual në KShC nga shkenca mjekësore dhe shkenca humane iu përfundon mandati më 17.06.2026, kurse mandati i anëtarit nga radhët e studentëve përfundon në dhjetor 2026.
Sipas ORCA-së, gjatë kandidimit të Driton Velës në vitin 2023 në KShC, ai ishte diskualifikuar pasi ishte kapur në flagrancë duke mashtruar komisionin përmes, siç thonë ata, deklarimeve të rreme në aplikim.
“Ky fakt, i dokumentuar dhe i bërë publik në atë kohë, e bën të pakuptimtë dhe të papranueshme rikthimin e tij në një proces të ri për të njëjtën pozitë… Ky rast përbën një precedent të rrezikshëm të ndërhyrjes politike në institucione që duhet të jenë të pavarura dhe të bazuara në meritë.” – thuhet në reagimin e parë të ORCA-së, më 22.04.2026.
Në atë kohë, Vela në një përgjigje për KALLXO, i kishte hedhur poshtë pretendimet e ORCA-së.
ORCA vlerëson se “përfshirja e personave me histori të dokumentuar të mashtrimit në procese të tilla jo vetëm që dëmton besimin e publikut, por rrezikon të minojë përpjekjet e viteve të fundit për ngritjen e standardeve në arsimin e lartë dhe për rikthimin e kredibilitetit të Agjencisë së Akreditimit në nivel ndërkombëtar.”
KALLXO ka siguruar një draft të raportit të punës të Komisionit, i cili përmban datën 20.04.2026, dhe paraqet rekomandimet e tyre për anëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë. Ky Komision përbëhet nga: Mentor Alishani (kryesues) dhe anëtarët – Bekim Samadraxha, Enver Hamiti, Nehat Dervishi dhe Edita Buçinca.
Ky draft nuk është i nënshkruar nga anëtarët e komisionit dhe në të përmban dy rekomandime për shkenca mjekësore, pra nuk është vetëm emri i Driton Velës.
Në të tregohet se kanë pranuar 7 vetënominime dhe tre nominime, por dy prej tyre i kanë refuzuar për shkak se nuk i kanë plotësuar kriteret.
Mediumi ka pyetur Komisionin në krye me Alishanin, i cili edhe është rektor në Universitetin e Prizrenit, se a e kishin nënshkruar raportin final të tyre për emrat e rekomanduar për KShC, para se të mbahej mbledhja elektronike e Qeverisë.
Alishani nuk i është përgjigjur pyetjeve të mediumit, por ka thënë se siguron që Komisioni ka ushtruar detyrat e tij në mënyrë profesionale dhe në përputhje të plotë me përcaktimet e Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2018, duke u mbështetur në legjislacionin në fuqi dhe pa asnjë ndikim.
“Në funksion të korrektësisë dhe transparencës së plotë, ju sugjeroj që për informata më të detajuara lidhur me procesin dhe vendimmarrjen përkatëse t’i drejtoheni institucionit përgjegjës, përkatësisht Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.” – ka thënë shkurt Alishani.
Ministri Hajrulla Çeku e zëvendësi i tij, Përparim Kryeziu, nga data 23.04.2026 kur janë pyetur nga KALLXO.com për kandidimin e Driton Velës në KShC, nuk janë përgjigjur. Të dy janë telefonuar nga mediumi por nuk kanë qenë të qasshëm.
As ish kandidati për deputet i LVV-së nuk ka dhënë përgjigje për reagimet e ORCA-së dhe nuk ka treguar nëse i plotëson kriteret për anëtar në Këshillin Shtetëror të Cilësisë. Ai po ashtu nuk ka qenë i qasshëm në telefonatat më 24.04.2026 e as nuk ka dhënë ndonjë përgjigje në mesazhet përmes telefonit deri në publikimin e lajmit.
Rektori i UP-së, Arben Hajrullahu i ka shqiptuar vërejtje me shkrim Driton Velës, për shkak të një postimi në Facebook, të cilin e kanë vlerësuar si cenues për imazhin, reputacionin dhe integritetin institucional.
Driton Vela publikoi një postim në Facebook më 15.02.2026, ku në mes tjerash njoftonte se UP-në e ka kaluar Kolegji UBT në kategorinë ‘hulumtime’ në rangimin e institucioneve sipas platformës Scimago (Scimago Institutions Rankings – SIR) për vitin 2025.
Kriteret për anëtar në KShC
Disa nga kriteret që kandidatët duhet t’i plotësojnë për të qenë anëtar në KShC e që rrjedhin prej Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Akreditim janë: të jenë shtetas të Kosovës; ata nga stafi akademik duhet të kenë gradën ‘Doktor i Shkencave’; përvojë hulumtuese të njohur ndërkombëtarisht; përvojë relevante akademike prej së paku pesë vitesh; përvojë në fushën e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë; si dhe të kenë njohuri të konsiderueshme për funksionimin e arsimit të lartë dhe të sigurimit të cilësisë në Kosovë, të dëshmuara përmes angazhimeve, pjesëmarrjes në aktivitete, projekte apo pozitave relevante.
Sipas ligjit, mandati i anëtarëve të KShC-së është katër vjeçar, me përjashtim të mandatit të anëtarit student, i cili është dy vjeçar.
Pas përfundimit të mandatit të parë, anëtari i KShC-së mund të riemërohet vetëm edhe për një mandat të dytë, sipas procedurës së paraparë me këtë ligj.
Në mesin e tashmë të propozuarve, nëse votohet në Kuvend, Shkurtë Bajgora mund të riemërohet edhe për një mandat të dytë në KShC, pasi ajo ishte emëruar për herë të parë në dhjetor 2024.
Bajgora kur është kontaktuar në lidhje me reagimet e ORCA-së, tha “më vjen keq, jam në pushime edhe seriozisht s’kam koment.”
Kurse, i propozuari tjetër për anëtar në KShC, Florim Gallopeni, tha se është nominuar nga Mihone Kerolli, rektore në Kolegjin IBC-M, për anëtar në KShC, pasi edhe është profesor në këtë kolegj dhe i ka parë reagimet e ORCA-së.
Sipas Gallopenit, çdo reagim duhet konsideruar dhe është me shumë rëndësi që institucionet – e në këtë rast KShC – të kenë përbërje meritore, marr parasysh peshën që ka si institucion.
“Unë nuk di kush ka aplikuar. Nuk kam informata për të tjerët. Nuk mund të komentoj për të tjerët. Mua më ka nominuar IBCM. I falenderoj për besimin në përvojen time dhe pastaj procedurat e vlerësimit nga komisionet që janë ngritë sipas ligjit kanë sjellë edhe emrin tim si të propozuar.” – ka thënë Gallopeni.
Gallopeni ka treguar se përvoja e tij akademike e shkencore është mbi 15 vite, rreth 12 vite në pozita udhëheqëse në Institucione të Arsimit të Lartë, në pozita të dekanit dhe prorektorit për Mësim.
“Kam udhëhequr ndër vite procesin e akreditimit institucional dhe programeve studimore, kam zhvilluar kurrikula në fushën e Psikologjisë dhe kam mbrojtë programe në agjensione vendore dhe ndërkombëtare. Jam ekspert për vlerësim të programeve studimore në dy agjensione ndërkombetare, AQAS dhe HCERES, dhe shumë pervoja në projekte ndërkombëtare Erasmus+ dhe projekte vendore. Kam qenë pjesë e tryezave edhe kur është pergatitur ligji aktual i Akreditimit.” – ka shtuar ai.
Gallopeni vlerëson se të qenit pjesë e KShC-së është përgjegjësi më shumë se sa privilegj, po ashtu ai thotë se “me përvojën që ka vlerësuar IBCM që kam, besoj që mund t’i kontriboj kësaj trupe të rëndësishme për Arsimin e lartë.”
Më 24.04.2026, Kallxo ka kërkuar qasje në dosjet e kandidatëve të propozuar nga Qeveria për anëtar të KShC-së, si dhe raportin e komisionit që i ka shqyrtuar ato, dhe është në pritje të ofrimit të qasjes nga Ministria e Arsimit.
Mediumi e ka telefonuar dhe i ka dërguar pyetje me shkrim edhe Arjeta Fejzas, kryetares së Komisionit parlamentar për Arsim, nëse kanë pasur diskutime për procedimin e anëtarëve për KShC në Kuvend, por nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e lajmit.


