Please enter at least 3 characters.

Njeriu që shpenzon miliona "për të ndalur plakjen" zbulon sëmundjen nga e cila vuan

Bryan Johnson, sipërmarrësi amerikan i teknologjisë, ka shpenzuar miliona dollarë duke studiuar dhe monitoruar trupin e tij.

48-vjeçari synon të ngadalësojë plakjen dhe ka deklaruar se objektivi përfundimtar është të bëhet e mundur që njeriu të jetojë përgjithmonë.

Johnson e ka quajtur veten “personi më i shëndetshëm në planet” dhe përdor sloganin “Mos vdis”.

Sipas disa të dhënave të publikuara nga vetë Johnson në intervistat e tij, trajtimet shëndetësore të specializuara dhe suplementet e veçanta i kushtojnë deri në 2 milionë dollarë në vit.

Ai monitoron vazhdimisht tregues të shumtë të organizmit, nga analizat e gjakut dhe rrahjet e zemrës deri te yndyra viscerale.

Regjimi i tij përfshin një dietë të kontrolluar, aktivitet fizik dhe përdorimin e suplementeve.

Në periudha të caktuara ai ka eksperimentuar me më shumë se 100 suplemente në ditë dhe madje ka marrë transfuzion plazme nga djali i tij adoleshent.

Por këtë verë, përpjekja e Johnson për të arritur një shëndet pothuajse perfekt u përball me një problem të papritur.

Ai njoftoi se ishte diagnostikuar me gastrit autoimun, një gjendje në të cilën sistemi imunitar sulmon disa qeliza të stomakut.

Sëmundja mund të shkaktojë mungesë hekuri dhe vitamine B12 dhe lidhet me komplikacione të tjera shëndetësore.

Johnson reagoi me habi ndaj diagnozës, duke theksuar se ushqehet me produkte të plota, ushtrohet çdo ditë dhe shmang zakonet që i konsideron të dëmshme.

Megjithatë, diagnoza nuk e ka bërë të heqë dorë nga përpjekjet e tij për jetëgjatësi, ai thotë se tashmë synon të kalojë në një fazë të re, të cilën e quan “zgjidhja e sëmundjes”.

Por, Johnson mohon se regjimi i tij ekstrem ka shkaktuar gastritin autoimun dhe thotë se problemi mund të ketë qenë i pranishëm prej dekadash.