Please enter at least 3 characters.

Nis asfaltimi i rrugës në rrethrrotullimin e ri në Lagjen “Bazhdarhane”

Punimet për asfaltimin e rrugës në rrethrrotullimin e ri në lagjen “Bazhdarhane” të Prizrenit kanë filluar të premten. Me këtë rast autoritetet komunale janë shprehur të bindur se me përfundimin e këtij projekti do të lehtësohet qarkullimi i automjeteve në këtë pjesë të qytetit.

Kryetari i Komunës, Shaqir Totaj ka theksuar se funksionalizimi i trafikut rrugor në këtë zonë të qytetit ka qenë zotim parazgjedhor dhe se në këtë aspekt janë ndërmarrë disa veprime.

“Ky lokacion ka qenë një pikë orientuese në fushatën e vitit 2021, duke filluar nga largimi i objektit që ka qenë pengesë për zhvillimin e kësaj pjese. Pas largimit ka qenë hapi i ardhshëm rregullimi i hapësirave, dhe sot ka nisur asfaltimi i kësaj pjese. Hapi i ardhshëm do të jetë vazhdimi me projektimin e parkingut nëntokësor. Këtu nuk do të ndërtohet Qendër Tregtare qysh pretendojnë disa, mirëpo do të jetë një Galeri e Arteve, një hapësirë e gjelbër dhe kështu me radhë. Por definitivisht do të lehtësohet dukshëm lëvizja e automjeteve në këtë pikë, si pjesë e procesit për rregullimin e trafikut rrugor në qytetin e Prizrenit”, ka thënë Totaj, raporton Telegrafi.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Çelë Lamaj ka bërë të ditur se para asfaltimit është intervenuar edhe në infrastrukturën nëntokësore, teksa do të rregullohet edhe ndriçimi publik.

“Kjo zonë do të funksionalizohet me një infrastrukturë komplete”, ka thënë Lamaj.

Sipas tij, në këtë hapësirë do të vendoset edhe skulptura e Vrapueses së Prizrenit, si njëra prej simboleve të qytetit për të krijuar edhe pamje më të mirë në këtë zonë.

Punimet për ndërtimin e rrethrrotullimit të ri në lagjen “Bazhdarhane” patën nisur një muaj më parë. Sipas zyrtarëve komunalë punimet në asfaltimin e këtij rreth rrotullimi përfshirë edhe punimet tjera përcjellëse, pritet të përfundojnë brenda tre ditësh. /Telegrafi/