Please enter at least 3 characters.

"Nga Zvicra në Gjilan për ta ndërtuar kirurgjinë" - Arbër Morina shkarkohet nga posti i shefit të kirurgjisë

Arbër Morina, shef i deritashëm i repartit të kirurgjisë në Spitalin Rajonal të Gjilanit, është shkarkuar nga pozita udhëheqëse. Lajmin e ka bërë të ditur vetë ai përmes një reagimi publik në profilin e tij në Facebook, ku ka shprehur zhgënjimin për mënyrën se si është larguar nga pozita.

Sipas Morinës, vendimi për shkarkim është marrë pa asnjë paralajmërim dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore, nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të Spitalit.

Ai ka theksuar se drejtuesi i ri, ka vendosur ta largojë menjëherë pas marrjes së detyrës, për ta zëvendësuar me një person tjetër që, siç thotë Morina, është afër pensionimit.

“Sot, më shumë se keqardhje, ndjej zhgënjim. Pa asnjë vlerësim real të punës sime, pa asnjë paralajmërim dhe në shkelje të dispozitave ligjore, një ushtrues detyre i drejtorit të Spitalit, që ende nuk e njeh realisht institucionin sepse ka qenë larg për shumë vite, dhe ende pa u ulur mirë në karrige, vendos të më shkarkojë dhe të rikthejë dikë që tashmë është në prag të pensionimit – një rikthim në të kaluarën që nuk solli asnjëherë zhvillim”, ka shkruar ai.

Mbi të gjitha, Morina kujton se kishte lënë një pozitë të qëndrueshme dhe të paguar mirë në Zvicër, vetëm për t’iu rikthyer Kosovës dhe për të dhënë kontribut në fushën e kirurgjisë.

“Para dy vitesh lashë punën si mjek në një klinikë zvicerane me kontratë të rregullt dhe me një pagë që në atë kohë ishte sa 13-fishi i pagës së një specialisti në Kosovë, për t’u kthyer me qëllim që të jap kontributin tim në fushën e kirurgjisë në Anamoravën time të dashur, në vendlindje”, ka thënë tutje ai.

Ai ka shtuar se gjatë kohës sa udhëhoqi këtë repart, punoi me përkushtim për të ngritur cilësinë dhe reputacionin e shërbimeve kirurgjike.

Sipas tij, janë bërë hapa të rëndësishëm si rritja e numrit të operacioneve, përdorimi i përditshëm i laparaskopisë, si dhe vlerësimi me çmimin si reparti më i mirë.

Ai ka theksuar gjithashtu se besimi i pacientëve u rikthye dhe shumë prej tyre tashmë po trajtohen në vend, pa pasur nevojë të kërkojnë ndihmë jashtë Gjilanit.

“Kemi trajtuar dhe shëruar këtu, e kemi parandaluar maltretime dhe shpenzime për pacientët dhe familjarët e tyre, në kërkim të shpresës në spitale gjithandej, të cilat, me përgjegjësi e them, janë nën nivelin që ne kemi arritur”, ka thënë ai.

Në përmbyllje të reagimit, Morina e ka cilësuar vendimin si jo vetëm një largim personal nga pozita, por si një goditje për besimin e qytetarëve që përballen me sfida shëndetësore.

Ai e sheh këtë veprim edhe si sinjal negativ për mjekët e rinj që, sipas tij, mund të humbasin motivimin për t’u kthyer apo për të qëndruar në Kosovë për të kontribuar. /Telegrafi/