Nga ‘Mora fjalë’ te atmosfera fantastike dhe parakalimi madhështor i Kosovës në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026
Kosova ka nisur pjesëmarrjen në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026 me një atmosferë të veçantë, ku tingujt e këngës “Mora fjalë” po shoqërojnë sportistët kosovarë në rrugëtimin e tyre në Itali.
Lojërat Mesdhetare Taranto 2026 po mbahen nga 21 gushti deri më 3 shtator në Itali, me pjesëmarrjen e sportistëve nga vendet e Mesdheut.
Kosova po përfaqësohet me një delegacion rekord prej 163 sportistësh, prej tyre 87 meshkuj dhe 76 femra, të cilët do të garojnë në 21 sporte të ndryshme.
Në ditët e para të qëndrimit në Taranto, kënga e njohur “Mora Fjalë”, e interpretuar nga Shkurte Fejza, është kthyer në një prej elementeve që po i shoqëron sportistët kosovarë në përditshmërinë e tyre.
Kënga po dëgjohet në fshatin mesdhetar, në rrugët ku lëvizin sportistët, si dhe në ambientet ku zhvillohen garat, duke krijuar një atmosferë të veçantë dhe duke shprehur emocionet, krenarinë dhe lidhjen e sportistëve me Kosovën.
“Mora Fjalë” është bërë kështu një lloj kolone zanore e delegacionit kosovar gjatë qëndrimit në Taranto, duke i dhënë një ngjyrim të veçantë pjesëmarrjes së tyre në këtë ngjarje ndërkombëtare.
Ndërkohë, delegacioni i Kosovës ka shkëlqyer edhe gjatë parakalimit në ceremoninë e hapjes, ku sportistët dhe stafi kosovarë u shfaqën me krenari dhe morën ovacione të mëdha nga të pranishmit.
Pjesëmarrja e Kosovës në Taranto 2026 është historike edhe për nga numri i sportistëve. Me 163 përfaqësues në 21 sporte, kjo është pjesëmarrja më e madhe e Kosovës në një ngjarje ndërkombëtare shumësportëshe.
Tashmë, pas ceremonisë së hapjes, vëmendja është te garat, ku sportistët kosovarë do të synojnë rezultate sa më të mira dhe medalje, duke kërkuar që kjo pjesëmarrje rekord të kurorëzohet edhe me suksese sportive. /Telegrafi/


