Nga lufta te kujtesa: Sonte premiera e dokumentarit “Isha 10 vjeç”, organizuar nga Ambasadorja Elvana Shala
Filmi i shpërblyer në New York International Film Festival sjell përvojat e refugjatëve nga Kosova dhe solidaritetin e Malit të Zi gjatë vitit 1999
Filmi i dedikohet refugjatëve nga Kosova, të cilët gjetën strehim në Mal të Zi. Ai sjell në vëmendje një nga kapitujt më të ndjeshëm të historisë së fundit të rajonit, vitin 1999, kur Mali i Zi hapi dyert për më shumë se 100 mijë refugjatë nga Kosova, pa dallim feje apo etnie, duke paraqitur dëshmi thellësisht prekëse dhe të fuqishme nga një periudhë shumë e vështirë për Kosovën.
Filmi dokumentar, me regji të Velibor Coviq, i cili trajton përvojat e fëmijëve të zhvendosur dhe dimensionin njerëzor të solidaritetit të Malit të Zi gjatë luftës, përfshirë edhe historinë personale të Ambasadores, është nderuar me një çmim special në New York International Film Festival për “kontribut të jashtëzakonshëm në filmin dokumentar”, duke u vlerësuar si një dëshmi e vlerave universale njerëzore mes trashëgimisë së dhimbshme të luftës.
Premiera solemne e filmit mbahet sonte, 30 mars 2026, në ora 19:00, në Cineplexx, në Albi Mall, ku të pranishëm do të jenë zyrtarë të lartë shtetërorë, diplomatë ndërkombëtarë, artistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga Kosova dhe Mali i Zi.
Kjo premierë solemne e filmit organizohet në bashkëpunim me Ambasadën e Malit të Zi në Kosovë. /Telegrafi/


