Nënshkruhet kontrata për ndërtimin e Pediatrisë në Gjilan
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka nënshkruar kontratën për ndërtimin e Klinikës së Pediatrisë në Gjilan, në kuadër të një aktiviteti prokurimi që është zhvilluar me procedurë të hapur dhe me kriter për dhënie “çmimin më të ulët”.
Sipas dokumenteve të publikuara lidhur me nënshkrimin e kontratës, kontrata është lidhur me grupin e operatorëve ekonomikë “HYDRO ING SH.P.K.”, “MBB Construction SH.P.K.” dhe “HEXAGON CONSTRUCTION SH.P.K.”.
Vlera e parashikuar e projektit kishte qenë 999 mijë e 230 euro, ndërsa oferta fituese kap shumën prej 996 mijë e 687 eurosh.
Në dokumentin e publikuar thuhet se kohëzgjatja e kontratës është 12 muaj, ndërsa vendi i realizimit është Spitali i Gjilanit.
Po ashtu, bëhet e ditur se në këtë aktivitet prokurimi janë pranuar dy tenderë, ndërsa vetëm njëri është konsideruar i përgjegjshëm. /Telegrafi/


