Në prill u raportuan 18 raste të dhunës në familje në rajonin e Ferizajt, rritje 12.5% krahasuar me 2025
Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se gjatë muajit prill 2026 janë raportuar gjithsej 18 raste të dhunës në familje në rajonin e Ferizajt, duke shënuar rritje prej 12.5% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Sipas komunikatës për media, rastet e raportuara në prill 2026 kanë ndodhur në këto komuna: 14 raste në Ferizaj, dy raste në Kaçanik dhe dy raste në Shtërpcë.
Ndërkaq, Policia ka njoftuar se në muajin prill 2025 ishin raportuar gjithsej 16 raste të dhunës në familje, prej të cilave 10 raste në Ferizaj, katër raste në Shtime dhe dy raste në Kaçanik.
“Numri i rasteve të dhunës në familje gjatë muajit prill 2026 ka shënuar rritje prej +12.5%, krahasuar me muajin prill të vitit 2025”, thuhet në komunikatë.
Policia Rajonale e Ferizajt ka theksuar se ka ndërmarrë një sërë masash dhe fushatash vetëdijësuese për parandalimin e dhunës në familje, ndërsa ka ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë me institucionet për raportimin e rasteve.
Sipas policisë, çdo rast i dyshuar i dhunës në familje mund të raportohet drejtpërdrejt në stacionin më të afërt të policisë, përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”, si dhe në numrat kujdestarë: 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406.
Policia ka siguruar se të dhënat e raportuesve do të ruhen në konfidencialitet të plotë. /Telegrafi/


