Në Pejë zbulohet murali kushtuar të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë
Një mural kushtuar të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë është zbuluar sot në Pejë, pranë objektit të Kadastrës, në një ceremoni që mblodhi përfaqësues institucionesh vendore dhe ndërkombëtare.
Në ceremoninë e zbulimit morën pjesë kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, si dhe ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Sipas organizatorëve, elementi qendror i muralit është broshi simbolik i qendisur nga vetë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, të cilët janë pjesë e qendrës në Drenas.
Ky brosh përfaqëson simbolin e Muzeut “Çast”, një hapësirë kujtese dhe reflektimi e dedikuar të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Muzeu është themeluar nga Fondacioni Jahjaga, me mbështetjen financiare të Ambasadës Gjermane.
Përmes këtij murali synohet nderimi i dinjitetit, forcës dhe qëndresës së të mbijetuarve, si dhe rritja e ndërgjegjësimit publik për krimet e kryera gjatë luftës dhe rëndësinë e ruajtjes së kujtesës kolektive.
Zbulimi i muralit në Pejë vjen si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të njohur dhe respektuar përvojat e të mbijetuarve, duke përcjellë një mesazh solidariteti, kujtese dhe mbështetjeje për ta. /Telegrafi/


