Please enter at least 3 characters.

Ndahet nga jeta legjenda e futbollit anglez Kevin Keegan

Futbolli anglez është në zi pas ndarjes nga jeta të Kevin Keegan, një prej figurave më të mëdha në historinë e këtij sporti. Ish-kapiteni dhe ish-trajneri i Anglisë ka vdekur në moshën 75-vjeçare, vetëm shtatë javë pasi bëri të ditur se ishte diagnostikuar me kancer në stadin e katërt.

Lajmin e hidhur e konfirmoi familja e tij, duke bërë të ditur se Keegan ndërroi jetë i rrethuar nga bashkëshortja dhe vajzat e tij.

“Kevin, fitues i dy Topave të Artë, ishte një bashkëshort, baba dhe gjysh i dashur. Familja dëshiron të falënderojë ekipin e tij të jashtëzakonshëm mjekësor për gjithë mbështetjen. Ky është një moment jashtëzakonisht i vështirë dhe kërkojmë privatësi,” thuhet në deklaratën e familjes.

Keegan zbuloi në qershor se vuante nga kanceri në stadin e katërt, faza më e avancuar e sëmundjes, kur ajo është përhapur edhe në pjesë të tjera të trupit.

Gjatë karrierës së tij si futbollist, Keegan veshi fanellat e Scunthorpe United, Liverpool, Hamburg, Southampton dhe Newcastle United, duke u shndërruar në një nga lojtarët më të dekoruar të futbollit anglez.

Ai fitoi dy herë radhazi Topin e Artë, në vitet 1978 dhe 1979, duke hyrë në historinë e futbollit evropian si një nga lojtarët më të mirë të brezit të tij.

Pas pensionimit, Keegan pati një karrierë të suksesshme edhe si trajner, duke drejtuar Newcastle United, Fulham, Manchester City dhe kombëtaren e Anglisë.

Newcastle United reagoi menjëherë pas lajmit, duke e cilësuar Keeganin si “një nga figurat më ikonike, më me ndikim dhe më të dashura në historinë e klubit”.

“Kevin ishte shumë më tepër sesa një futbollist apo trajner legjendar. Ai ishte zemra e Newcastle United për breza të tërë tifozësh. Ndikimi i tij nuk do të matet me numrin e ndeshjeve apo rezultatet, por me kujtimet që krijoi, ëndrrat që frymëzoi dhe brezat e tifozëve në mbarë botën që u dashuruan me futbollin falë tij”, thuhet në reagimin e klubit.

Me ndarjen nga jeta të Kevin Keegan, futbolli humbet një prej ikonave më të mëdha, një figurë që la gjurmë të pashlyeshme si në fushë, ashtu edhe në bankinë. /Telegrafi/