Musk kundër përdorimit të Starlinkut nga Ukraina për sulme në Rusi
Elon Musk vazhdon të kundërshtojë përdorimin e Starlink nga Ukraina për sulme në thellësi të territorit rus, pavarësisht raportimeve të fundit se ai është i gatshëm ta mbështesë një përdorim të tillë të sistemit.
Tre burime të njohura me rastin i thanë Kyiv Independent se drejtori ekzekutiv i SpaceX nuk e ka ndryshuar qëndrimin e tij për këtë çështje.
Kjo i hedh poshtë raportimet e Financial Times të 30 gushtit, sipas të cilave Musk ishte i hapur ndaj mundësisë që Ukraina të përdorte dronë të pajisur me Starlink për sulme ndaj objektivave në Rusi, me miratimin politik të Shtëpisë së Bardhë.
Kievi prej kohësh po kërkon miratimin e Shteteve të Bashkuara për përdorim më të gjerë të kësaj teknologjie në luftën kundër Rusisë. Sipas mediave ukrainase, synimi është forcimi i fushatës kundër sistemeve ruse të lëshimit të raketave balistike.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ngriti këtë çështje më 28 korrik, gjatë një takimi me dyer të mbyllura me presidentin amerikan Donald Trump. Megjithatë, Ukraina deri më tani nuk ka marrë miratimin për një përdorim të tillë të sistemit.
Një nga burimet tha se Musk beson se lejimi i Ukrainës për ta përdorur Starlinkun në operacione brenda territorit të Rusisë nuk do të ndihmonte në përfundimin e luftës. /Telegrafi/


