Please enter at least 3 characters.

“Mund të jetë një problem i madh”, Trump reagon pas provokimit rus në Estoni

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka reaguar pas raportimeve për shkeljen e hapësirës ajrore të Estonisë nga aeroplanë luftarakë rusë të tipit MiG-31.

Ngjarja ka ndodhur dje, në një moment të tensionuar mes NATO-s dhe Rusisë, duke ngritur shqetësime për një përshkallëzim të mundshëm në rajonin e Baltikut.

Duke komentuar incidentin në një deklaratë për shtyp, Trump deklaroi se “mund të jetë një problem i madh”.

Sipas autoriteteve estoneze, aeroplani rus ka hyrë pa leje në hapësirën ajrore të vendit, duke qëndruar për disa minuta brenda territorit sovran të NATO-s, përpara se të largoheshin. Ngjarja po hetohet nga autoritetet ushtarake dhe diplomatike të aleancës.

Pas shkeljes së hapësirës ajrore të Estonisë nga Rusia, zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart, tha se Këshilli i Atlantikut të Veriut do të mblidhet në fillim të javës së ardhshme për të diskutuar më në detaje incidentin, gjë që përbën aktivizimin e nenit 4.

Estonia më herët kishte kërkuar zyrtarisht konsultime sipas nenit 4 të Traktatit të Uashingtonit.

Kjo nuk është hera e parë që aeroplanët rusë akuzohen për shkelje të hapësirës ajrore në Evropën Lindore, por situata e tanishme po vlerësohet si më e rrezikshme, për shkak të klimës së tensionuar në marrëdhëniet mes Perëndimit dhe Moskës. /Telegrafi/