Please enter at least 3 characters.

Mourinho ka një kërkesë prej 25 milionë eurosh për Real Madridin

Jose Mourinho mund të rikthehet në stolin e Real Madridit dhe, sipas raportimeve të fundit, trajneri portugez tashmë ka identifikuar objektivin e tij kryesor për afatin kalimtar të verës.

Në rast se rikthimi i tij në “Santiago Bernabeu” bëhet realitet, Mourinho do të kërkojë nga drejtuesit e klubit një përpjekje të veçantë për transferimin e mbrojtësit të djathtë të Interit, Denzel Dumfries.

Futbollisti holandez konsiderohet si përforcimi ideal për krahun e djathtë të mbrojtjes dhe shihet si një element kyç në projektin e ri që “The Special One” dëshiron të ndërtojë te madrilenët.

Sipas gazetarit italian Nicolo Schira, Dumfries është prioritet absolut për Mourinhon.

Mbrojtësi 30-vjeçar ka kontratë me Interin deri në vitin 2028, por klauzola e tij e lirimit prej 25 milionë eurosh do të jetë aktive gjatë muajit korrik, duke e bërë transferimin e tij një mundësi tërheqëse për klubet e interesuara.

Megjithatë, Real Madridi nuk do ta ketë të lehtë të sigurojë shërbimet e reprezentuesit holandez.

Liverpooli gjithashtu po monitoron situatën dhe konsiderohet një rival serioz në garën për nënshkrimin e Dumfries.

Raportet bëjnë të ditur se klubi madrilen ka nisur tashmë kontaktet me përfaqësuesit e lojtarit për të shqyrtuar mundësinë e një marrëveshjeje.

Nëse Mourinho rikthehet në kryeqytetin spanjoll, Denzel Dumfries pritet të jetë një nga emrat më të nxehtë në listën e transferimeve të Real Madridit gjatë verës. /Telegrafi/