Mot me diell dhe temperatura deri në 32°C
Sot në Kosovë parashihet të mbajë mot me diell dhe pjesërisht i vranët.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10 dhe 13 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të arrijnë nga 28 deri në 32 gradë Celsius.
Era do të jetë e dobët dhe me drejtime të ndryshme.
Sipas parashikimeve, kushtet agrometeorologjike do të jenë shumë të favorshme për zhvillimin e kulturave bujqësore.
Temperaturat e përshtatshme, moti i thatë dhe orët e gjata me diell krijojnë kushte optimale për pjekjen e drithërave.
Me fillimin e fushatës së korrje-shirjeve të grurit, kjo fundjavë konsiderohet veçanërisht e përshtatshme për nisjen e punimeve në arat me drithëra dhe zhvillimin e aktiviteteve të tjera bujqësore.
Korrjet pritet të nisin fillimisht në Rrafshin e Dukagjinit, ku falë kushteve më të favorshme klimatike ato zakonisht fillojnë rreth 10 ditë më herët sesa në Rrafshin e Kosovës.
Edhe kushtet biometeorologjike do të jenë kryesisht të favorshme për shumicën e qytetarëve.
Megjithatë, gjatë orëve të mesditës dhe pasdites, për shkak të temperaturave të larta dhe rrezatimit të shtuar diellor, rekomandohet shmangia e ekspozimit të panevojshëm në diell, konsumimi i mjaftueshëm i lëngjeve dhe përdorimi i masave mbrojtëse ndaj rrezeve UV, të cilat do të kenë intensitet të lartë. /Telegrafi/


