Me dronë, radarë, mjete inteligjente Policia në Shqipëri evidenton shkeljet e rregullave në trafik
Policia e Shtetit po intensifikon monitorimin e akseve rrugore përmes teknologjive moderne, me synim evidentimin në kohë reale të shkeljeve të rregullave të qarkullimit dhe parandalimin e aksidenteve.
Ministri Besfort Llamallari ka theksuar se përdorimi i dronëve, radarëve, mjeteve inteligjente dhe teknologjive të avancuara po i mundëson Policisë një kontroll më efikas të situatës në rrugë.
“Me dronë, radarë, mjete inteligjente dhe teknologji moderne, Policia e Shtetit po monitoron në kohë reale akset rrugore për të evidentuar shkeljet dhe për të parandaluar aksidentet”, është shprehur ministri Llamallari.
Sipas tij, respektimi i rregullave të qarkullimit rrugor nuk duhet të shihet si një zgjedhje individuale, por si një detyrim që vlen për çdo përdorues të rrugës. Kontrolli teknologjik synon jo vetëm ndëshkimin e shkeljeve, por mbi të gjitha rritjen e ndërgjegjësimit dhe parandalimin e ngjarjeve me pasoja të rënda.
“Rregullat e qarkullimit nuk janë me zgjedhje, por detyrim për t’u respektuar nga të gjithë. Kështu mbrojmë veten dhe përdoruesit e tjerë të rrugës”, ka deklaruar Llamallari. /Telegrafi/


