Please enter at least 3 characters.

Mbi 700 gramë drogë, armë dhe para të sekuestruara - aktakuzë ndaj gjashtë personave në Suharekë

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”, ndërsa njëri prej tyre akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, aktakuza është ngritur ndaj personave me inicialet S.K., A.K., F.F., L.A., A.F. dhe D.G., për shkak të dyshimeve se kanë kryer veprat penale të parapara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, S.K. më 29 janar 2026, në Suharekë, dyshohet se ka poseduar pa autorizim marihuanë me qëllim të shitjes dhe shpërndarjes. Gjatë kontrollit, sipas Prokurorisë, janë sekuestruar 30 qese me marihuanë dhe mbetje të kësaj substance, me peshë totale rreth 26.60 gramë.

Ndërkaq, A.K. dyshohet se gjatë periudhës shtator 2025 – janar 2026 ka shpërndarë dhe ofruar për shitje substanca narkotike, përfshirë kokainë. Gjatë kontrolleve, sipas aktakuzës, janë gjetur rreth 465 gramë marihuanë, rreth 3.3 gramë kokainë, substancë e lëngshme e dyshuar narkotike, peshore digjitale, pajisje për përpunim dhe para në vlerë prej 2 mijë e 200 eurosh.

Përveç veprës penale me narkotikë, A.K. akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje, pasi dyshohet se në lokalin e tij në Suharekë ka mbajtur një pistoletë të tipit M57, një karikator dhe katër fishekë.

Prokuroria ka bërë të ditur se edhe F.F. dyshohet se ka shpërndarë dhe ofruar për shitje kokainë, ndërsa ndaj L.A., A.F. dhe D.G. pretendohet se, në bashkëkryerje, kanë shpërndarë dhe shitur kokainë në lokacione të ndryshme në Suharekë dhe më gjerë.

Sipas aktakuzës, gjatë një operacioni është sekuestruar një sasi prej mbi 300 gramë kokainë, e cila dyshohet se ishte hedhur gjatë largimit me automjet nga vendi i ngjarjes.

Prokurori i rastit ka propozuar konfiskimin e rreth 740 gramëve substanca narkotike, përfshirë mbi 400 gramë marihuanë dhe mbi 330 gramë kokainë, si dhe konfiskimin e armës, automjeteve të përdorura dhe parave të sekuestruara.

Gjithashtu, Prokuroria ka kërkuar që të pandehurit, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. /Telegrafi/