Mbi 122 mijë euro të padeklaruara konfiskohen në kufi, Dogana jep detaje të rastit
Mbi 122 mijë euro para të gatshme janë konfiskuar në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë, pasi autoritetet zbuluan një rast të tentimit për mosdeklarim të mjeteve monetare gjatë hyrjes në Kosovë.
Sipas Doganës së Kosovës, rasti ka ndodhur më 29 prill 2026 rreth orës 09:15, kur një automjet me targa të huaja, i drejtuar nga një shtetas i Rumanisë dhe me katër udhëtarë, është ndalur për kontroll në kufi.
“Gjatë pyetjes standarde doganore lidhur me posedimin e mjeteve monetare mbi pragun e lejuar ligjor prej 10,000 euro për person, pala është deklaruar se nuk posedon mjete për deklarim”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Megjithatë, pas përzgjedhjes për kontroll fillestar, zyrtarët kanë gjetur një shumë të konsiderueshme parash të fshehura.
“Pas përzgjedhjes për kontroll fillestar nga zyrtarët doganorë, janë gjetur një çantë dore në të cilën ishin të fshehura 32,500 euro”, bëhet e ditur nga Dogana.
Pas këtij zbulimi, dhe pas përgjigjes së palës se “kanë të drejtë deri në 10,000 euro për person”, autoritetet kanë vendosur të kryejnë kontroll të detajuar të automjetit në vijën e dytë.
“Gjatë këtij kontrolli, në bagazhin e automjetit, përkatësisht në hapësira të fshehura në pjesën e akumulatorit dhe nën plastikën e gomës rezervë, janë zbuluar edhe 90,100 euro shtesë, si dhe 4,187 lei rumunë”, thekson njoftimi.
Në total, janë sekuestruar 122,600 euro dhe 4,187 lei rumunë (rreth 800 euro), të cilat dyshohet se ishin tentuar të futeshin në vend pa u deklaruar.
Autoritetet kanë bërë të ditur se rasti është përcjellë për hetime të mëtejme, ndërsa rikujtojnë detyrimet ligjore për deklarimin e mjeteve monetare në kufi.
“Çdo person që hyn ose del nga territori doganor i Kosovës dhe bart mjete monetare në vlerë mbi 10,000 euro është i obliguar t’i deklarojë ato”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Dogana paralajmëron se shkeljet e tilla kanë pasoja ligjore.
“Mosdeklarimi i mjeteve monetare përbën shkelje ligjore dhe i nënshtrohet procedurave përkatëse administrative dhe ligjore”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/


