Please enter at least 3 characters.

Mbi 10 orë pritje për të hyrë në Kroaci - mijëra mërgimtarë përballen me një dramë të vërtetë

Mijëra mërgimtarë kanë mbetur të bllokuar në vetura, shpesh pa ujë të mjaftueshëm dhe pa mundësi për të përdorur tualetin, ndërsa përballen me pritje të gjata në kufirin mes Malit të Zi dhe Kroacisë. Cilat janë alternativat për t’iu shmangur kolonave?

Siç njoftojnë mediat kroate, para pikës kufitare Karasoviqi – Debeli Brijeg është krijuar një kolonë prej rreth 20 kilometrash në anën e Malit të Zi. Mijëra njerëz, mes tyre shumë mërgimtarë nga Kosova, po presin për të hyrë në Kroaci dhe për të vazhduar rrugën drejt Zvicrës, Gjermanisë, Austrisë dhe vendeve të tjera të Evropës Perëndimore.

Sipas Autoklubit Kroat, udhëtarët po presin deri në 10 orë. Portali kroat Index.hr njofton se, sipas informatave jozyrtare, pritjet në kufi kanë arritur deri në 28 orë. E mbingarkuar është edhe pika tjetër kufitare Kobila/Konfin, ku gjithashtu janë regjistruar pritje jashtëzakonisht të gjata.

Qarkullimi pothuajse është paralizuar. Sipas mediave kroate, kolonat e gjata në pikat kufitare Debeli Brijeg dhe Konfin janë pasojë e rritjes së jashtëzakonshme të trafikut tranzit, procedurave të reja kufitare dhe kapaciteteve të kufizuara të pikave të kalimit.

Të bllokuar kanë mbetur edhe banorët e rajonit të Konavles, të cilët kthehen nga puna, shkojnë në shtëpi apo përpiqen të kryejnë aktivitetet e tyre të përditshme.


Kryetari i Komunës së Konavles, Bozho Lasiq, paralajmëroi se zona është praktikisht e paralizuar. Ai theksoi se zyrtarët policorë po bëjnë përpjekje për të lehtësuar bllokimet, por janë të kufizuar nga procedurat e reja kufitare, numri i korsive në dispozicion dhe kapaciteti i përgjithshëm i pikës së kalimit.

Pritjet me orë të tëra përbëjnë një problem të veçantë për shkak të temperaturave të larta. Udhëtarët mbeten të bllokuar në vetura, shpesh pa ujë të mjaftueshëm dhe pa mundësi për të përdorur tualetet, duke krijuar rrezik shtesë për shëndetin dhe sigurinë.

Për këtë arsye, është organizuar një kamion-cisternë me ujë të pijshëm për t’u ardhur në ndihmë udhëtarëve dhe banorëve të zonës që qëndrojnë me orë të tëra në kolona.

Lasiq kërkoi nga institucionet kompetente masa urgjente dhe një organizim më të mirë të trafikut në kufi. Ai tha se mbrojtja e kufirit shtetëror dhe kontrollet e sigurisë duhet të mbeten prioritet, por nuk duhet lejuar që banorët e Konavles të mbeten të shkëputur nga shtëpitë e tyre dhe të detyrohen të presin me orë të tëra në rrugë, edhe pse nuk po kalojnë kufirin.

Për shkak të pritjeve të gjata në pikën kufitare Karasoviqi dhe kolapsit të trafikut në Konavle, është aktivizuar Shtabi i Mbrojtjes Civile i Komunës së Konavles.

Alternativat për udhëtarët

Një alternativë për shmangien e kolonave është udhëtimi përmes Bosnjë dhe Hercegovinës. Pranë Herceg Novit, ku po presin shumë prej mërgimtarëve nga viset shqiptare, ndodhen dy pika kufitare: Sitnica/Zupci (në drejtim të Trebinjes) dhe Ilino Brdo/Klobuk (në drejtim të Nikshiqit).

Mediat malazeze kanë njoftuar se edhe në pikën kufitare Sitnica/Zupci janë regjistruar kolona të gjata, por situata nuk është aq dramatike sa në pikat kufitare me Kroacinë.

Nëpër Bosnjë-Hercegovinë mund të udhëtojnë qytetarët e Kosovës që kanë shtetësi të vendeve perëndimore. Personat me vetëm shtetësi të Kosovës duhet të kenë vizë për të kaluar tranzit.

Një alternativë tjetër është kthimi drejt Durrësit dhe udhëtimi me traget drejt porteve italiane Bari, Brindisi ose Ankona. /Telegrafi/

true