Mbeti viktimë e atentatit të sotëm, Kreshnik Mujeci i akuzuar për vrasje në 2016
39-vjeçari, i cili mbeti viktimë e një atentati sot brenda makinës së tij, ku udhëtonte me bashkëshorten në Balldren të Lezhës, është një emër i njohur për policinë. A2 CNN raporton se Kreshnik Mujeci së bashku me vëllezërit e tij, Lin dhe Jozef Mujeci, akuzohen se vranë në 6 tetor të vitit 2016 Gegë Mëhillin (i njohur edhe si Genc Mhillaj apo Gent Pjetri).
Ngjarja ndodhi në rrugën nacionale Shkodër-Velipojë, pranë vendit të njohur si Mali i Jushit. Njëri prej vëllezërve, Jozefi, u arrestua një ditë pas ngjarjes kriminale, teksa ishte 21 vjeç.
Në tetor 2017, Kreshnik Mujeci dhe vëllai i tij, Jozef Mujeci janë arrestuar si të dyshuar për "vrasjen me paramendim" të shtetasit Genc Mhillaj, i cili pasi është dërguar në Spitalin Rajonal Shkodër ka ndërruar jetë, ngjarje e ndodhur më 6 tetor 2016. Pasi janë dërguar në gjykim për veprat penale të "vrasjes me paramendim" dhe "armëmbajtje pa leje", më nëntor 2018, janë deklaruar të pafajshëm nga Gjykata e Shkodrës.
Në të njëjtin vendim është urdhëruar lirimi i menjëhershëm i tyre. Prokuroria e ka ankimuar vendimin, ankim që është rrëzuar nga Apeli një vit më vonë. Ndërsa më tetor 2024, Gjykata e Lartë e ka kthyer çështjen për rigjykim në Apel.
Sipas policisë, ngjarja ndodhi pas një sherri të një dite më parë të asaj kohe. Kreshnik Mujeci së bashku me vëllezërit e tij, i kishin prerë rrugën kamionit me të cilin Mhillaj transportonte miell dhe e qëlluan me armë zjarri, duke e lënë të vdekur.


