Please enter at least 3 characters.

Maran debuton me humbje, Shqipëria pëson minimalisht në shtëpi nga Izraeli

Kombëtarja e Shqipërisë u mposht 0-1 nga Izraeli në miqësoren e luajtur në “Air Albania”, në një ndeshje që shërbeu edhe si debutim për përzgjedhësin Rolando Maran në stolin kuqezi.

Shqipëria e nisi takimin me presing të lartë dhe ritëm të mirë, duke tentuar ta mbajë Izraelin larg zonës. Qasja agresive në minutat e para u shoqërua edhe me disa dalje të shpejta në sulm, por pa finalizim.

Rasti më i pastër për kuqezinjtë në pjesën e parë erdhi pas një krosimi nga krahu i djathtë, ku sulmuesi i Shqipërisë, Adis Mehmeti u gjend i vetëm para portës, por goditja përfundoi mbi traversë. Më pas, ekipi provoi edhe me disa gjuajtje nga distanca, por mbrojtja izraelite i menaxhoi mirë situatat.

Izraeli rrezikoi në disa momente me aksione nga krahët dhe tentativa nga jashtë zone, por pa e vënë seriozisht në vështirësi portierin shqiptar në pjesën e parë. 45 minutat e para u mbyllën pa gola, me përshtypjen se Shqipëria kishte qenë më pranë zhbllokimit.

Në pjesën e dytë, ritmi u rrit dhe Izraeli u bë më kërcënues, sidomos në kundërsulm. Portieri i Shqipërisë, Allen Sherri pati dy ndërhyrje vendimtare që e mbajtën ekipin në lojë, duke shmangur gola të sigurt.

Megjithatë, në minutën e 73-të, Izraeli shënoi pas një kundërsulmi të shpejtë, me një goditje diagonale që e zhbllokoi ndeshjen. Goli ndryshoi rrjedhën e takimit dhe e detyroi Shqipërinë të rrezikojë më shumë.

Pas golit pati edhe tension në fushë, pasi autori i golit u konsiderua se provokoi tifozët gjatë festës, ndërsa një lojtar i Shqipërisë reagoi menjëherë. Gjyqtari i ndëshkoi të dy me karton të verdhë dhe situata u qetësua shpejt.

Në minutat e fundit, Shqipëria u përpoq të barazojë me ndryshime dhe shtim të presionit, por nuk arriti të krijojë rast të pastër. Në shtesë, një gabim në prapavijë mund t’i kushtonte kuqezinjve golin e dytë, por portieri ndërhyri sërish dhe shmangu më të keqen, duke e lënë rezultatin përfundimtar 0-1. /Telegrafi/