Man Utd nuk dorëzohet, rikthehet fuqishëm në garë për talentin e West Hamit
Manchester United ka hyrë seriozisht në garë për transferimin e mesfushorit portugez Mateus Fernandes, i cili po konsiderohet si një nga emrat më të kërkuar të afatit kalimtar së verës në futbollin evropian.
21-vjeçari ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve të mëdha pas paraqitjeve të tij, pavarësisht një sezoni të vështirë për West Ham United.
Situata e re ka detyruar drejtuesit e londinezëve të shqyrtojnë shitjen e disa prej lojtarëve më të vlefshëm, ndërsa Fernandes shihet si një nga asetet kryesore të skuadrës.
Sipas raportimeve të mediave britanike, Man Utd ka intensifikuar kontaktet për ta siguruar shërbimin e mesfushorit portugez përpara hapjes së afatit kalimtar.
Drejtuesit e “Djajve të Kuq” e shohin Fernandesin si një investim afatgjatë për repartin e mesfushës, veçanërisht në kuadër të ndryshimeve që priten në skuadër gjatë verës.
Klubi nga ‘Old Trafford’ ka zhvilluar bisedime me përfaqësuesit e lojtarit dhe besohet se vetë Fernandes është i interesuar për një transferim te Manchester United.
Prania e kapitenit Bruno Fernandes në skuadër konsiderohet si një faktor që mund të ndikojë pozitivisht në adaptimin e tij.
Fillimisht, United kishte ndjekur nga afër edhe Carlos Baleban e Brightonit, por kërkesat e larta financiare kanë bërë që vëmendja të zhvendoset drejt objektivave të tjerë, mes të cilëve Mateus Fernandes dhe Ederson.
Edhe pse kontrata e Fernandes me West Hamin është e vlefshme deri në vitin 2030, situata financiare e klubit pas rënies nga Liga Premier mund të lehtësojë negociatat.
Vlera e tij aktuale vlerësohet mes 50 dhe 60 milionë eurove, megjithëse nuk përjashtohet mundësia që kjo shifër të ulet gjatë javëve të ardhshme.
Për mesfushorin portugez interesim kanë shfaqur edhe Arsenali, Paris Saint-Germain, Interi, Juventusi, Napoli, Chelsea dhe Aston Villa, duke e kthyer atë në një nga emrat më të nxehtë të afatit kalimtar të verës.
Megjithatë, raportet nga Anglia sugjerojnë se Manchester United mbetet destinacioni i preferuar i lojtarit, gjë që mund t’i japë avantazh klubit në garën për nënshkrimin e tij.
Rënia e West Hamit ka krijuar nevojën për një rindërtim të thellë të skuadrës dhe largimi i Mateus Fernandes mund të jetë një nga transferimet më të rëndësishme të kësaj vere.
Për Manchester United, afrimi i tij do të përfaqësonte jo vetëm një përforcim cilësor në mesfushë, por edhe një investim të rëndësishëm për të ardhmen. /Telegrafi/


