LVV në Sharr mbështet banorët e Rrencit, kërkon rishqyrtimin e projektit për deponinë e mbeturinave
Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Sharr ka shprehur mbështetjen për banorët e fshatit Rrenc të Dragashit, të cilët po kundërshtojnë ndërtimin e një deponie të mbeturinave në afërsi të vendbanimit të tyre.
Përmes një reagimi publik, LVV në Sharr tha se pas reagimeve të banorëve, peticionit të nënshkruar dhe takimit me përfaqësuesit e Kryesisë së fshatit, shqetësimet e ngritura janë të bazuara dhe kërkojnë trajtim serioz nga institucionet komunale.
"Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Sharr shpreh mbështetjen e plotë për banorët e fshatit Rrenc dhe kërkesat e tyre legjitime lidhur me kundërshtimin e ndërtimit të një deponie të mbeturinave në afërsi të vendbanimit", thuhet në reagim.
Sipas kësaj dege, asnjë projekt që ndikon drejtpërdrejt në jetën, shëndetin dhe mjedisin e qytetarëve nuk duhet të procedohet pa konsultim të mirëfilltë me komunitetin.
"Asnjë projekt që prek drejtpërdrejt jetën, shëndetin, mjedisin dhe të ardhmen e një komuniteti nuk duhet të procedohet pa konsultim të mirëfilltë me qytetarët. Respektimi i zërit të banorëve nuk është çështje vullneti politik, por detyrim institucional dhe parim themelor i qeverisjes demokratike", thuhet më tej.
LVV në Sharr i ka bërë thirrje kryetarit të Komunës dhe ekzekutivit lokal që të vazhdojnë dialogun me banorët, të shmangin polemikat në rrjetet sociale dhe të trajtojnë shqetësimet e qytetarëve me përgjegjësi.
Po ashtu, kjo degë ka kërkuar rishqyrtimin e mjeteve të planifikuara për projektin, duke theksuar se bëhet fjalë për fonde nga Granti i Performancës, të cilat, sipas saj, mund të ridestinohen për projekte të tjera në interes të qytetarëve.
Gjithashtu, është kërkuar edhe rishikimi i lokacionit të planifikuar për ndërtimin e deponisë, duke marrë parasysh kërkesat e banorëve dhe faktin se vendi i propozuar ndodhet rreth 300 metra larg zonës së banuar.
"Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra në Sharr do të jetë përkrah çdo kërkese të drejtë qytetare që synon mbrojtjen e shëndetit publik, mjedisit dhe interesit të përgjithshëm. Qeverisja e mirë ndërtohet mbi dialogun, transparencën dhe respektin për qytetarin. Angazhimi ynë politik do të jetë gjithmonë në shërbim të qytetarëve", përfundon reagimi. /Telegrafi/


