Haziri tregon a mund të ndryshojë “Jo” e LDK-së për LVV-në pas zgjedhjeve të reja
Zgjedhjet e reja, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, nuk i sheh si zgjidhje të vetme.
Në një intervistë për KALLXO Haziri tha se kurdo që vendi shkon në zgjedhje duhet të krijohet një koalicion stabil e që e zgjedh edhe presidentin e ri.
“Ne para shkurtit kemi thënë “Jo” (për koalicion me LVV-në), dhe kur kemi thënë ‘Jo’, ata kanë thënë: ‘Po kush po ju thirrë?’. Kur kemi thënë në dy raste pas 9 shkurtit: “Jo, faleminderit!”, sepse i kemi dhënë arsyet para 9 shkurtit dhe përkundër kualifikimeve që i kemi marrë nga lideri i Vetëvendosjes në veçanti, doli që bashkëpunimi në Kosovë është frymë kushtetuese e jo vetëm vullnet. Tek ne nuk ka fitues të mëdhenj”, u shpreh ai.
Haziri ka thënë se kur presidentja e jep mandatarin e dytë, ajo beson që ai i ka votat dhe se duhet të ua shpjegojë se çfarë ka nënkuptuar.
“Zgjedhjet nuk kanë me qenë zgjidhje e vetme prapë. Në politikë, njerëzit votojnë për me bartë mandat. Qytetari ka votu për me dhënë mandat tek ne dhe ne me gjetë zgjidhje politike e jo Gjykata Kushtetuese me bë zgjidhje e as presidentja se s’ka çka lypë këtu, por deputetët dhe partitë duhet të bëjnë zgjidhje”- tha Haziri.
Nënkryetari i LDK-së ka thënë se nuk ka përpjekje për t’i evituar zgjedhjet e as angazhim për gjetjen dhe krijimin e një shumice, qoftë edhe kalimtare. Sipas tij, nuk po shihet ‘dritë në fund të tunelit’.
Për mundësinë e një koalicioni mes LVV-së dhe LDK-së pas zgjedhjeve të reja, Haziri ka thënë se nuk mund të dihet tani por se kurdo që mbahen zgjedhjet duhet të prodhojnë rezultat dhe qeverisje ku do duhej stabilitet politik.
“Ku edhe çështja e presidentit të Republikës ka me u zgjidhë. Nuk mundemi për çdo rast me bë zgjedhje. Kjo që zotëri Kurti me sa di po e përmend, zgjedhje në dhjetor edhe në mars më shumë është lojë fjalësh për me çu mesazh politik në publik që nëse nuk bëhet tash kemi me u riciklu në zgjedhje”- shtoi ai, duke thënë se mund të ndodhë sepse Kurti njihet për revanshe politike.
Raporti i mosbashkëpunimit politik në Kosovë ka dërgu në revanshizma politikë, sipas tij.
“Se sa e shohim LDK-në në një gjendje të re paszgjedhore nuk mund të parashikoj as unë. LDK me këtë lidership që e kemi sot, nuk është pragmatike si më herët. Mos pritni që ka me u bë më pragmatike”- ka thënë ai.
LDK-ja, sipas tij, po angazhohet që t’u japë kontribut politik proceseve dhe Republikës me bindjen që Kosova të normalizohet dhe të ketë stabilitet në institucione. Ai shtoi se Kosovën po e pret një agjendë e rëndë ndërkombëtare karshi sigurisë e rajonit si dhe dy luftërave në Lindje të Mesme e në Ukrainë.
Për çështjen e zgjedhjes së Qeverisë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u është përgjigjur gazetarëve më 10.11.2025, duke thënë se “kanë ngelur edhe 10 ditë dhe se informacion të saktë në lidhje me numrat apo mundësitë do të ketë në këtë javë dhe në fillim të javës së ardhshme”.
“Mandati i është dhënë nga zonja presidente Vjosa Osmani Glauk Konjufcës nga Lëvizja Vetëvendosje. Ne urojmë për më të mirën. E ritheksojmë, nuk mendojmë që është punë e mençur të shkojmë në zgjedhje edhe në dhjetor e më pastaj edhe sërish në prill”- tha ai.
Kurti, ka deklaruar se deputetët e Kuvendit të Kosovës janë para zgjedhjes: “Ose le të themi ‘Kurti 2.5’ deri në dhjetor ose ‘Konjufca 1’ deri në prill.”
“Por, pa asnjërën prej këtyre, nuk është e mundur. Domethënë duhet të përcaktohen për njërën prej këtyre”- tha ai për media më 10.11.2025.
Më 04.11.2025, Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje mandatoi Glauk Konjufcën për kryeministër të vendit.
Në po të njëjtën ditë, presidentja Vjosa Osmani zyrtarisht mandatoi atë, dhe menjëherë ka filluar afati 15-ditësh i Konjufcës për të formuar Qeverinë e re.
“Nuk kemi emër tjetër, përveç propozimit nga partia e parë me emrin e zotëriut Glauk Konjufca… Mandatimi i tij është gjithashtu në përputhje me përgjegjësinë tjetër, që presidentja të ruajë stabilitetin e vendit duke shmangur zgjedhjet”- tha Osmani.
Pas mandatimit nga LVV, Konjufca u shpreh se nuk synon koalicione dhe qeveri afatgjate.
“Ideja ka qenë e thjeshtë, ta krijojmë një Qeveri të re për me i shmangë dy gjëra aq shumë të rëndësishme: e para janë zgjedhjet e reja dhe e dyta që të provojmë të bashkëpunojmë që të mundet Kosova me pasë buxhetin e saj për vitin 2026”- tha Konjufca para gazetarëve.
Propozimi i LVV-së për Qeveri të udhëhequr nga Konjufca u kundërshtua nga PDK, LDK, AAK dhe NISMA Socialdemokrate, të cilat kërkojnë zgjedhje e jo zvarritje të procesit, siç po e quajnë ata propozimin e LVV-së.
Kosova tashmë po i bën nëntë muaj pa institucione të reja, pra që nga zgjedhjet e 09.02.2025.
Mandatari i parë për Qeverinë, Albin Kurti, ka dështuar t’i marrë votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës për formimin e Qeverisë “Kurti 3”.
Për kanë votuar vetëm 56 deputetë, partitë e ish-opozitës kanë votuar kundër dhe katër vota kanë qenë abstenim.
Në ndërkohë, Gjykata Kushtetuese është ende duke e trajtuar një ankesë të Listës Serbe në lidhje me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, dhe ende është e paqartë nëse ky institucion do ta konsideroj të konstituar Kuvendin.
Në ndërkohë, Gjykata Kushtetuese është ende duke e trajtuar një ankesë të Listës Serbe në lidhje me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, dhe ende është e paqartë nëse ky institucion do ta konsideroj të konstituar Kuvendin.


