Lushaku-Sadriu i përgjigjet Nagavcit: Emrin e keni, tregoni a i keni 66 vota
Çështja e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit ka nxitur një tjetër valë reagimesh të dielën në mbrëmje mes partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje dhe partisë në opozitë, Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, i është përgjigjur deklaratës së shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci.
Përmes një postimi në Facebook, Lushaku-Sadriu thotë se propozimi i LDK-së nuk është i panjohur dhe ka hedhur topin te partia në pushtet.
“A deshët emra? Emrin e keni. Kallxoni a i keni 66 vota!”, ka shkruar Lushaku-Sadriu, duke iu referuar emrit të Vjosa Osmanit, të cilën e ka përmendur lideri i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, teksa kanë mbetur edhe dy ditë deri në skadimin e afatit për zgjedhjen e presidentit të ri.
E ky reagim erdhi pasi shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje ka bërë hapa përpara për të tejkaluar ngërçin politik, por sipas saj, ende nuk kanë pranuar asnjë propozim zyrtar e konkret nga dy partitë kryesore opozitare, LDK dhe PDK. Nagavci ka theksuar se partia e saj mbetet edhe sonte në pritje të tre emrave, ofertë të cilën ia ka bërë PDK-së dhe LDK-së, e që do të mund të siguronin konsensusin e nevojshëm.


