Please enter at least 3 characters.

Letra prekëse e Yan Diomande për motrën e tij të ndjerë

Futbollisti i Bregut të Fildishtë, Yan Diomande, ka prekur opinionin publik me një letër emocionale kushtuar motrës së tij të ndjerë, Roxane, e publikuar në platformën The Players' Tribune.

Në rrëfimin e tij, Diomande kujton fëmijërinë e tyre të thjeshtë, por të mbushur me dashuri familjare.

“Ne nuk e dinim çfarë ishte pasuria apo varfëria. Ne njihnim vetëm lumturinë”, shkruan ai.

Mes kujtimeve më të veçanta, ai përmend ditët kur ëndërronte të bëhej futbollist profesionist.

“A të kujtohet kur dikush më bleu një fanellë të rreme të Manchester United dhe unë shkrova ‘Ronaldo 7’ në shpinë me marker? Apo kur mora këpucët e mia të para të futbollit dhe flija me to?”, kujton Diomande.

Ai tregon se lidhja me rrënjët e tij ka mbetur e fortë falë motrës së tij, e cila e mbështeti pa kushte që në hapat e parë të karrierës.

“Ishe vetëm 10 vjeçe dhe tashmë ishe agjentja ime”, shkruan ai me emocion.

Mbështetja që nuk mungoi kurrë

Rruga drejt futbollit profesionist nuk ishte e lehtë. Diomande kaloi prova te disa klube, mes tyre Bournemouth, Chelsea, Rangers, Olympiacos dhe Crystal Palace, duke u përballur me shumë sfida dhe pasiguri.

Megjithatë, Roxane vazhdoi të besonte tek ai edhe kur të tjerët dyshonin.

“Ti ishe personi që nuk pushoi kurrë së besuari tek unë.”

Momenti që ndryshoi jetën e tyre erdhi kur ai firmosi kontratën me CD Leganés.

“Pak javë më vonë nënshkrova për Leganés dhe qamë, por këtë herë nga lumturia”, kujton futbollisti.

Telefonata që i ndryshoi jetën

Në pjesën më të dhimbshme të letrës, Diomande rrëfen momentin kur mori lajmin tragjik për vdekjen e motrës së tij. Ai kujton një telefonatë që nuk do ta harrojë kurrë, gjatë së cilës iu tha se Roxane kishte humbur jetën pasi dikush dyshohet se i kishte hedhur një substancë në pije gjatë një feste.

Roxane ishte vetëm 15 vjeçe kur ndërroi jetë, një humbje që la një boshllëk të madh në jetën e futbollistit.

“Gjithçka që the po bëhet realitet”

Pavarësisht dhimbjes, Diomande thotë se vazhdon t’ia dedikojë sukseset e tij motrës së ndjerë. Ai kujton me emocione debutimin kundër Real Madrid dhe momentin kur ndërroi fanellën me Kylian Mbappé.

“Ti gjithmonë thoje se mund të bëhesha më i mirë se Cristiano. Edhe kur nuk kisha këpucë të vërteta futbolli, u thoshe të gjithëve: ‘Vëllai im do të bëhet më i miri në botë’”.

Në fund të letrës, futbollisti i drejtohet motrës me një premtim prekës: “Do të të vërtetoj se kishe të drejtë. Do të bëj gjithçka për të realizuar ëndrrën që kishe për mua. Çdo sukses që arrij në futboll do të jetë për ty”. /Telegrafi/