Lekaj tërhiqet nga lista zgjedhore e AAK-së për 7 qershorin
Ish- deputeti Pal Lekaj ka njoftuar se nuk do të garojë në listën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për zgjedhjet e 7 qershorit, duke theksuar se vendimi i tij hap rrugë për anëtarët e rinj të partisë.
Në një postim drejtuar strukturave dhe mbështetësve të AAK-së, Lekaj ka vlerësuar kontributin e kësaj partie në shtetformimin e Kosovës, duke theksuar rolin e liderit të saj, Ramush Haradinaj.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk është thjesht një grupim politik, por që nga themelimi i saj ka qenë dhe mbetet një familje politike që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në shtetformimin, zhvillimin dhe sigurinë e atdheut”, ka deklaruar Lekaj.
Ai ka përmendur gjithashtu rëndësinë e Haradinajt në krijimin dhe drejtimin e partisë.
“Në themel të kësaj rruge qëndron vizioni i Ramush Haradinajt, një burrështetas i cili që nga vitet ’90 artikuloi dhe ndërtoi ideologjinë e një Aleance për Liri dhe Pavarësi”, ka thënë ai.
Lekaj ka bërë të ditur se, pas më shumë se dy dekadash angazhim, ka vendosur të mos jetë pjesë e listës zgjedhore, por të vazhdojë mbështetjen për partinë dhe kandidatin për kryeministër, Ardian Gjini.
“Sot, pas 26 vitesh, unë kam vendosur që në zgjedhjet e 7 Qershorit të mos garoj në listën e Aleancës, duke hapur dyert për anëtarët e rinj, por duke dhënë mbështetjen time absolute”, ka deklaruar ai.
Ai ka theksuar se beson në suksesin e AAK-së në zgjedhjet e ardhshme dhe ka ftuar mbështetësit të punojnë për fitoren e saj.
“Unë besoj se familja jonë politike… do të dalë faqebardhë në këto zgjedhje dhe do ta kthejë shpresën për qytetarët e vendit”, thuhet më tej në deklaratë. /Telegrafi/


