Please enter at least 3 characters.

Legjenda e Realit kritikon Anglinë dhe Tuchelin: Qasje frikacake

Legjenda e futbollit spanjoll dhe e Real Madridit, Iker Casillas, ka kritikuar ashpër paraqitjen taktike të Anglisë pas humbjes 2-1 ndaj Argjentinës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026.

Casillas reagoi menjëherë pas ndeshjes me një postim në rrjetin social X, ku vlerësoi se anglezët gabuan duke u tërhequr në mbrojtje pas golit të epërsisë.

"Shënon një gol dhe pastaj rri duarkryq. Qasje frikacake", shkroi Casillas.

Më tej, ish-portieri spanjoll shtoi se Anglia ia dorëzoi plotësisht iniciativën kampionëve në fuqi.

"Ata nuk e kanë lënë zonën e tyre dhe e kanë lejuar Argjentinën të dalë më përpara. Rezultati logjik ndodh", përfundoi ai.

Anglia kaloi në epërsi në minutën e 55-të me golin e Anthony Gordon, por më pas u tërhoq në mbrojtje me pesë lojtarë, duke i lënë iniciativën Argjentinës.

Kampionët në fuqi e shfrytëzuan këtë qasje, duke përmbysur rezultatin me golat e Enzo Fernandez dhe Lautaro Martinez për të siguruar fitoren 2-1 dhe kualifikimin në finalen e madhe.

Argjentina do të përballet me Spanjën në finalen e Kupës së Botës, e cila zhvillohet të dielën. /Telegrafi/