Please enter at least 3 characters.

Agim Veliu përfshihet në listën e LDK-së

Zëdhënësi i Lidhja Demokratike e Kosovës, Besian Mustafa, ka bërë të ditur se ndër kandidatët e propozuar për deputet nga dega e LDK-së në Podujevë është edhe Agim Veliu.

Rikthimi i Veliut në listën e propozuar vjen pasi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kishte deklaruar ditë më parë se synon t’i bashkojë në parti të gjithë ata që i përkasin krahut të djathtë politik.

Agim Veliu nuk ishte përfshirë në listën e kandidatëve për deputetë të LDK-së në dy proceset zgjedhore të mbajtura gjatë vitit 2025.

Ai më herët ka ushtruar disa funksione të rëndësishme politike, përfshirë postin e kryetarit të Podujevës, deputetit në Kuvendin e Kosovës dhe ministrit të Punëve të Brendshme.

Pas rezultatit të dobët që LDK-ja kishte marrë në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Veliu kishte kërkuar dorëheqjen e Abdixhikut nga posti i kryetarit të partisë, si dhe organizimin e zgjedhjeve të brendshme në LDK.

Propozimi i tij për deputet shihet si sinjal i afrimit dhe konsolidimit brenda partisë para zgjedhjeve të ardhshme./Telegrafi.