“Kuvendi pritet të mblidhet më 20 shkurt” - Ramadani paralajmëron krizë politike dhe mundësi për zgjedhje të reja
Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, ka paralajmëruar për një situatë të ndërlikuar politike në vend, duke ngritur dilema serioze për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja.
Sipas Ramadanit, Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet rreth datës 20 shkurt, ndërsa nga ajo ditë fillojnë të rrjedhin afatet kushtetuese për konstituimin e institucioneve.
“Që nga ajo ditë, janë dy javë për të konstituuar Kuvendin, zgjedhur Qeverinë, miratuar Buxhetin për vitin 2026 dhe për të filluar procedurën për zgjedhjen e Presidentit të ri”, ka deklaruar Ramadani.
Ai ka theksuar se ngarkesa e këtyre proceseve brenda një kohe kaq të shkurtër e bën të domosdoshme një marrëveshje të gjerë politike.
“Nëse këto procese bëhen bashkë, atëherë është e domosdoshme një marrëveshje më e madhe politike. Nuk pres që kjo mund të ndodh lehtësisht”, është shprehur ai.
Ramadani ka rikujtuar gjithashtu se zgjedhja e Presidentit të ri ka një afat të prerë kushtetues.
“Presidenti i ri duhet të zgjedhet jo më vonë se deri në orët e fundit të 4 marsit”, ka theksuar kandidati i AAK-së.
Në fund, ai ka ngritur pyetjen nëse dështimi për arritjen e marrëveshjes politike mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja. “A po shkon vendi në zgjedhje sërish?”, ka përfunduar Ramadani./Telegrafi/


