Please enter at least 3 characters.

LIVE: Vazhdon punimet Kuvendi i LDK-së, a do të mbetet Abdixhiku në krye të partisë?

Lidhja Demokratike e Kosovës sot mban Kuvendin e saj, ku pritet të përcaktohet se kush do të jetë në krye të partisë.

Pas rezultatit në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ku LDK-ja siguroi vetëm 15 vende në Kuvend, kryetari i kësaj partie Lumir Abdixhiku ka thënë se të ofrojë dorëheqjen në Kuvend dhe pastaj u mbetet kuvendarëve të vendosin nëse do ta pranojnë apo jo.

E sot 355 delegatët e LDK-së mblidhen për të diskutuar lidhur me udhëheqjen e partisë.

31/01/2026 15:46- Vazhdon punimet Kuvendi i LDK-së, a do të mbetet Abdixhiku në krye të partisë?

Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës po vazhdon punimet, ndërsa pas fjalimit të kryetarit Lumir Abdixhiku është hapur debat për zhvillimet në parti.

Abdixhiku para se të niste punimet Kuvendi i LDK-së theksoi se do të dëshironte që kjo ditë të shënohet me maturitet politik, me diskutime dhe debate të hapura.

“I siguroj të gjithë anëtarësinë e LDK-së se nga kjo ditë do të dalim edhe më të unifikuar, më të fortë, edhe më të gatshëm për të ardhmen e mirë që na pret përpara”, tha ai.

Abdixhiku tha se me debat, me diskutime dhe në fund me shumicë votash e përcaktojnë fatin politik.

Ai tutje tha Kuvendi është organi më i lartë i partisë dhe ka të drejtë të vendos çdo gjë.

31/01/2026 14:03- Kuvendi i LDK-së vazhdon punimet me dyer të mbyllura

Pas fjalimit të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili foli rreth 1 ore para delegatëve të LDK-së, Kuvendi i kësaj partie po vazhdon punimet me dyer të mbyllura.

Abdixhiku në fund të fjalimit tha se drejtimin e punimeve të Kuvendit ia kalon Kryesisë së Punës, duke thënë se procesi duhet të jetë i pavarur nga çdo ndikim individual.

“...Prandaj, nga ky moment, i kaloj punimet tek Kryesia e Punës e këtij Kuvendi. Këto punime duhet të jenë të pavarura nga çfarëdo ndikimi individual. Dhe, sikurse në mars të vitit 2021, kur ju më dhatë privilegjin më të madh jetësor, të ju prijë, do të ulem sërish si njëri nga 355 delegatët e kësaj shtëpie të madhe të demokracisë që e desha pa kusht. Nga ky moment, vendimmarrës jeni ju! Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës. Zoti e bekoftë popullin e Kosovës. Zoti e bekoftë Republikën tonë...”, deklaroi Abdixhiku.

31/01/2026 12:53- Abdixhiku para delegatëve: Rezultatet e fundit nuk erdhën nga një gabim i vetëm, por si pasojë e një grumbullimi të sfidave gjatë kohës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka mbajtur një fjalim gjatë Kuvendit të punës së partisë, duke iu drejtuar delegatëve dhe duke folur për përgjegjësinë, sfidat dhe rolin e LDK-së në politikën e Kosovës.

Abdixhiku tha se partia ka përgjegjësi historike dhe se është koha që të japë përgjigje edhe për vetveten.

“Heshtja në jetën politike është një barrë e rëndë. Njeriu e kupton që ka momente që duhet të ndalet, jo pse është i dobët, por sepse ka përgjigje për të dhënë nga ata që e besuan. Nata e zgjedhjeve ishte një prej atyre momenteve që nuk ishte vetëm një rezultat politik, por një pasqyrë e përgjegjësisë”, tha ai.

Kryetari i LDK-së theksoi se përgjegjësia merret vetëm brenda Kuvendit të partisë dhe vendimmarrja i takon delegatëve.

“Kam zgjedhur të dal para jush jo sepse është e lehtë, por sepse është e domosdoshme. Njeriu nuk matet vetëm kur gjithçka shkon mirë, por edhe kur gjuha i dridhet pak”, shtoi ai.

Abdixhiku vuri në dukje se rezultatet e fundit nuk erdhën nga një gabim i vetëm, por si pasojë e një grumbullimi të sfidave gjatë kohës, duke theksuar nevojën për të reflektuar dhe për t’u përballur me realitetin.

“Sot jemi këtu për t’i thënë gjërat në sy”, tha ai.

31/01/2026 12:33- Nis Kuvendi i punës së LDK-së

Ka nisur punimet Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i është drejtuar delegatëve me një fjalim rasti.

Në këtë Kuvend të LDK-së pritet të vendoset rreth udhëheqjes së LDK-së, pas rezultateve jo të mira për këtë parti në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

31/01/2026 12:25- Myrtezaj: Delegatët vendosin rrjedhën e punimeve, janë tri modalitetet të Kuvendit të LDK-së

Para fillimit të Kuvendit të LDK-se, anëtari i partisë, Valon Myrtezaj tha se ftesa për kuvendin e punës është e paqartë.

Ai theksoi para mediave se i takon delegatë e që të përcaktojnë rrjedhën e punimeve.

Murtezaj tha se kjo është ngjarje shumë e rëndësishme për Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Ftesa nuk është shumë e qartë, janë tre modalitete të takimit të kuvendit të LDK-së, e para mund të jetë takim pune, takim zgjedhor apo mund të ketë votë mos besimi. Siç e keni parë në ftesë nuk është e saktësuar, i takon delegatëve si ranë në këtë kuvend të përcaktojnë rrjedhën e punimeve sot, dhe rrjedhën e LDK-së nesër”, tha ai.

31/01/2026 12:10- Abdixhiku: Do të dëshiroja që kjo ditë të shënohet me maturitet politik, me debate të hapura

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku para se të hynte në mbledhjen partisë, saktësisht në Kuvendin e punës së LDK-së tha se do të dëshironte që kjo ditë të shënohet me maturitet politik, me diskutime dhe debate të hapura.

Abdixhiku thekoi se le të jetë kjo një standard i mirë, i mbarë jo vetëm për LDK-në, por edhe për partitë tjera.

“I siguroj të gjithë anëtarësinë e LDK-së se nga kjo ditë do të dalim edhe më të unifikuar, më të fortë, edhe më të gatshëm për të ardhmen e mirë që na pret përpara”, tha ai.

31/01/2026 12:08- Selmanaj: Mungesa e një agjende të qartë nuk është shenjë e mirë - Hoti vlerë e madhe për LDK-në

Anëtari i Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, ka theksuar se LDK-ja, edhe në momentet e saj më delikate, ka ditur të gjejë mekanizma të brendshëm për rregullim dhe reflektim të drejtë, veçanërisht në situatat kur është përballur me sfida në zgjedhjen e kryetarit të partisë.

“Gjithmonë LDK-ja e ka zgjedhur situatën më të mirë”, tha ai, duke shtuar se aktualisht mungesa e një agjende të qartë nuk është shenjë e mirë.

Sipas Selmanajt, deri mbrëmë duhej të ishte e qartë nëse do të votohej për votëbesim apo do të shqyrtohej dorëheqja.

Duke folur për udhëheqjen e partisë, Selmanaj vlerësoi lart të kaluarën dhe trashëgiminë politike të Avdullah Hotit, duke e cilësuar atë si një vlerë të madhe për LDK-në, por theksoi se kjo nuk përjashton kandidaturat e tjera.

31/01/2026 11:52- Gashi: Kryetari Abdixhiku ka kërkuar që të bëhet vlerësimi i punës së tij

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka deklaruar se për momentin po mbahet një kuvend pune i LDK-së, të cilin e ka cilësuar si një ditë të demokracisë brenda partisë, duke shprehur pritjet që procesi të zhvillohet dhe të përfundojë në këtë frymë.

Sipas Gashit, çështja e votëbesimit apo dorëheqjes së kryetarit të LDK-së mbetet në diskrecion të vetë kryetarit.

Ai theksoi se aktualisht partia nuk ndodhet në fazën e kandidaturave të reja, por në një proces që lidhet me vlerësimin e punës së kryetarit aktual.

“Jemi në një fazë të një procesi që ka të bëjë me vlerësimin e punës së kryetarit aktual, i cili është kërkuar nga vetë ai. Kryetari ka kërkuar që të vlerësohet puna e tij dhe të shihet se çfarë po i ofron kuvendit”, ka deklaruar Gashi.